2014-05-25 11:20:56

Papa Françesku në Betlehem, denoncon gjendjen e fëmijëve të shfrytëzuar në botë


Papa Françesku po kremton meshën në Sheshin e Grazhdit në Betlehem, vendi i lindjes së Jezu Krishtit, vendi ku Zoti u bë njeri. Për këtë arsye, homelia e Papës u përqendruar tek fëmijët e në gjendjen e tyre në shoqërinë e sotme.
Jezsu Fëmijë, lindur në Betlehem, është shenja, dhënë nga Zoti për praninë e Tij në botë, theksoi Ati i Shenjtë. Është edhe shenja për të diagnostikuar, për të kuptuar gjendjen shëndetësore të familjes, të shoqërisë, të botës mbarë. Kur fëmijët pranohen, që kur janë në barkun e nënës, kur duhen, ruhen, mbrohen, familja është e shëndoshë, shoqëria përmirësohet, bota bëhet më njerëzore. Në këtë kuadër, Papa përmendi punën e Institutit Effatà Pali VI, në favor të fëmijëve shurdhmemecë palestinezë: është shenjë konkrete e mirësisë së Hyjit, tha.
Në botën tonë, e cila ka teknologjitë më të sofistikuara, shumë fëmijë jetojnë në kushte çnjerëzore, të mënjanuar nga shoqëria, në periferitë e qyteteve të mëdha, ose në zonat rurale. Sa fëmijë të shfrytëzuar, të keqtrajtuar, të skllavëruar, objekt dhune e trafikësh të paligjshëm, refugjatë, të shpërngulur, nganjëherë, të mbytur në det. Në një botë, e cila çdo ditë hesh tonelata me ushqime e ilaçe, ka fëmijë, që derdhin lot më kot për shkak të urisë e të sëmundjeve, që mund të kurohen lehtësisht. Në një kohë, që shpall kujdesin për të miturit, tregtohen armë, të cilat përfundojnë në duart e fëmijëve-ushtarë; tregtohen prodhime të konfeksionuara nga punëtorë të vegjël – skllevër.
Kush jemi ne para Jezusit Fëmijë, para fëmijëve të sotëm? – pyeti Papa Françesku. Jemi si Maria e Jozefi, që e mirëpresin Jezusin dhe kujdesen për të me dashuri amnore e atërore? Apo jemi si herodi, që dëshiron ta eliminojë? Jemi si barinjtë, që shkojnë shpejt për ta adhuruar e i ofrojnë dhuratat e tyre të përvuajtura? Apo jemi indiferentë? Jemi ndoshta retorikë e pietistë, njerëz, që e shfrytëzojnë imazhin e fëmijëve të varfër për qëllime fitimi? Apo jemi të aftë t’u qëndrojmë pranë, të “humbim kohë” me ta? A dimë t’i dëgjojmë, t’i mbrojmë, të lutemi për ta e me ta? Apo i lemë pas dore, për t’u marrë me interesat tona?
Nga kjo diagnozë mund të lindë një stil i ri jete, ku marrëdhëniet të mos karakterizohen më nga konflikti, nga shpërdorimi, nga konsumizmi, por të jenë marrëdhënie vëllazërimi, faljeje e pajtimi, bashkëndarjeje dhe dashurie.








All the contents on this site are copyrighted ©.