2014-05-25 20:26:44

Kremtim i përbashkët ekumenik i Françeskut e Bartolomeut. Papa: Ekumenizmi i gjakut ndikon fuqimisht mbi Kishën mbarë!


Kulmi i vizitës së Papës Françesku në Tokën e Shenjtë: kulm domethënës, me mesazhe të qarta, me një përqafim të ri, si përforcim i atij të 50 vjetëve më parë e edhe përsëritja e një premtimi, për të qenë një gjë e vetme, sipas dëshirës së të njëjtit e të vetmit Zot.RealAudioMP3 Kremtim i jashtëzakonshëm mbi gurin e Varrit, flakur në erë në ditën, që e ndau më dysh historinë e njerëzimit: ditë e shëlbimit të njeriut. Kremtim madhështor, me pjesëmarrjen e të gjithë ipeshkvijve të Tokës Shenjte, Kryeipeshkvijve kopt, siriak, etiopik, anglikan, luteran e ipeshkvijve të tjerë. Të pranishëm, rreth Varrit të Shenjtë, Konsujt e përgjithshëm të pesë vendeve, garante të “Statu quo”(Franca, Belgjika, Spanja, Italia, Greqia) dhe Konsujt e vendeve të tjera. Papa e Patriarku u pritën nga tre eprorët e bashkësisë së “Statu quo” (Greko-ortodokse, Françeskane dhe Armene apostolike). Ndërmjet tyre, edhe Rojtari i Tokës Shenjte, atë Picabala e shumë françeskanë. Ndërsa Papa e Patriarku nderonin njëkohësisht, vetëm, Gurin e Varrit të Zotit, të pranishmit vendoseshin rreth Korit të Françeskanëve, përballë Edikolës së Varrit të Krishtit e bazilika më e shenjtë e botës ushtonte nga këngët, psalmet, himnet, lutjet, përshëndetjet e nga shpallja e Ungjillit të Ngjalljes.
Pastaj, fjalimi i Patriarkut Bartolomeu, në gjuhën angleze e i Papës Françesku, në italisht.

Hir të jashtëzakonshëm e quajti Papa, lutjen e përbashkët në këtë vend të shenjtë, mbi Varrin e zbrazët, prej nga engjëjt përhapën lajmin e madh të ringjalljes: “Ju mos kini frikë. E di se kërkoni Jezusin, të kryqëzuarin. Nuk është këtu. U ngjall!” Ati i Shenjtë vijoi, kështu, të komentonte aty, ku dikur ndodhi ngjarja e madhe, pikërisht këtë ngjarje, dymijë vjet më pas, në një kremtim kaq simbolik, përshkuar plotësisht nga lutja e Krishtit drejtuar Atit: “Që të gjithë dishepujt e Tij të jenë një gjë e vetme!”.
Hir i veçantë, ky i sotmi, vijoi Papa, duke na ftuar të gjithë të mësojmë nga ky vend, për ta jetuar jetën tonë, tronditjet e Kishave tona e të botës mbarë nën dritën e agimit të Pashkëve:
“Çdo plagë, çdo vuajtje, çdo dhimbje u ngarkua mbi shpatullat e Bariut të Mirë, që flijoi vetveten e, me flijimin e Tij, na hapi udhën e jetës së pasosur. Plagët e hapura të Zotit janë shtegu, përmes të cilit vërshon mbi botën përroi i mëshirës së Tij. Mos të lejojmë të na e rrëmbejnë themelin e shpresës sonë!”.
Të mos e lëmë botën, pa lajmin e gëzuar të Ringjalljes! E të mos e bëjmë veshin shurdh përballë thirrjes së fuqishme për bashkim, e cila jehon sonte shi nga ky vend, në fjalët e Atij që, sot i ngjallur, na quan ne të gjithëve “vëllezërit e mi”, tha Papa, për të theksuar, më pas:
“Ndërsa vijojmë shtegtimin në këto vise, kujtimi ynë rrok mbarë Lindjen e Mesme, të munduar shpesh nga dhuna e konfliktet. E nuk duhet t’i harrojmë, në lutjen tonë, as burrat e gratë e shumta që, në të katër anët e planetit, vuajnë nga luftërat, nga varfëria, nga uria. E po ashtu, edhe të krishterët e perseketuar për besimin e tyre në Krishtin e ngjallur. Kur të krishterët e konfesioneve të ndryshme vuajnë së bashku, njëri pranë tjetrit dhe e ndihmojnë njëri-tjetrin, realizohet ekumenizmi i vuajtjes, ekumenizmi i gjakut, që ndikon fuqimisht mbi jetën e Kishës mbarë!”.
Papa nuk i mohoi ndarjet, që ekzistojnë ende ndërmjet dishepujve të Krishtit, por duke nënvizuar se ky vend i bën të gjithë ta jetojnë më dhimbshëm dramën. E njëkohësisht, të vërejnë me admirim hapat që u bënë, nën nxitjen e Shpirtit Shenjt, drejt bashkimit të plotë. Megjitahtë, shtoi, jemi të vetëdijshëm se mbetet ende shumë udhë për t’u bërë për ta arritur këtë bashkim, që të mund të shprehet edhe me ndarjen e së njëjtës sofër eukaristike, të cilën e dëshirojmë fort të gjithë, por divergjencat nuk duhet të na trembin e as ta paralizojnë udhën tonë:
Duhet të besojmë se, ashtu si u flak guri nga gryka e varrit, kështu mund të flaken edhe të gjitha pritat, që e pengojnë ende bashkimin e plotë. Në këtë udhë na ndihmon lutja që vetë Jezusi ia drejtoi Atit, në këtë qytet, natën e mundimeve, të vdekjes e të ngjalljes, të cilën duhet ta bëjmë përvujtërisht tonën: “Të jenë një gjë e vetme, që bota të besojë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.