Vendi ku lindi Krishti, 10 kilometra në jug të Jeruzalemit, me 35 mijë banorë, në
hebraisht “Bet-Lehem: Shtëpia e bukës; në arabisht ‘Bet Lahm’: Shtëpia e mishit, ndodhet
në udhën ku përshkoheshin karvanet, që niseshsin drejt shkretëtirës së Negebit, mbi
shpatet lindore të dy kodrave (765 metra mbi nivelin e Mesdheut e 1170 metra mbi nivelin
e Detit të Vdekur). Sot është kryeqendër e Governatoratit me të njëjtin emër,
në Komunën Beit-Lahm, njëra nga 12 komunat që formojnë Çisjordaninë. Burimet kryesore
të jetesës janë bujqësia, blegtoria dhe punimi artizanal i drurit të ullirit e i sedefit.
Kujtohet për herë të parë në Bibël lidhur me vdekjen e Rakelës (Zan. 35,19) dhe identifikohet
me Efratën (Frutoren). Në shkrimet shenjte quhet ‘Betlehemi i Judës”, emër i fisit,
të cilit i përkiste. Këtu lindi Davidi e, po këtu, u shugurua Mbret nga Samueli Profet
(1 Sam 16, 4-13). Me lindjen e Krishtit, më i vogli nga të gjitha qytetet e Judës,
mori rëndësi botërore e nisi të zmadhohej, për të përballuar dyndjen e shtegtarëve.
Perandori Adrian (135) u përpoq të rrënjoste këtu kultin e Adonit por, në vitin 330,
Kostandini riktheu kultin e krishterë. Që asokohe, vendlindja e Krishtit u bë qendër
e jetës monastike: në vitin 384, në Betlehem u vendos Shën Jeronimi, që shkroi me
mijëra faqe , duke përkthyer e duke komentuar Shkrimin Shenjt. I dhuroi kështu botës
‘Vulgatën’ që përballon shekujt. Pas pushtimit arab, në vitin 638, kalifi Omar ndoqi
një politikë tolerance fetare, por kur u afruan kryqtarët, në vitin 1099, myslimanët
e rrënuan qytetin. Në vitin 1100 në Betlehem u kurorëzua mbreti i parë i Jeruzalemit,
Baldovini. Rikthimi i arabëve (1187) dhe pushtimi i mëpasëm otoman, e shkatërruan
qytetin deri në atë pikë, sa të kthehej në një katund të vogël, gati-gati të harruar
nga bota. Por në fillim të shekullit XIX, më i vogli i qyteteve të Judës, e mori
rishtas veten. Numri i banorëve erdhi gjithnjë duke u rritur, kryesisht me besimtarë
të krishterë. Në vitin 1831 u pushtua nga Muhamed Ali Pasha i Egjiptit: myslimanët,
aleatë të otomanëve, u dëbuan nga vendi e lagjja e tyre u bë shkrumb e hi. Dhjetë
vjet më vonë qyteti u rikthye nën kontrollin e otomanëve. Bënte pjesë në mbretërinë
hashemite të Jordanisë deri në qershor të vitit 1967 kur, së bashku me Çisjordaninë,
u pushtua nga ushtria izraelite. Nga viti 1995, mbi bazën e Marrëveshjeve të Oslos,
i përket Territoreve Autonome Palestineze. Presidenti i Autoritetit Palestinez, Jaser
Arafat, e ndërtoi këtu Pallatin Presidencial. Qyteti ishte qëndra e festimeve
‘Betlehem 2000’. Me rastin e Jubileut të Madh këtu u ndërtua Muzeu Ndërkombëtar
i Lindjes së Krishtit (800 metra katrore, 230 Shpella Betlehemi, të ardhura nga të
pesë kontinentet) realizuar nën drejtimin e UNESKO-s. Këtu shtegtuan Pali VI –
6 janar 1964 e Gjon Pali II – 22 mars 2000. Më 13 maj 2009, Benedikti XVI (Shtegtimi
XII Apostolik, në Tokën Shenjte, 8-15 maj 2009). Për hollësira, www.bethlehem 200.org.