2014-05-24 19:20:06

Papa në takimin me refugjatët dhe me të rinjtë: të kthehen në udhën e Zotit ata, që kanë plane lufte


Takimi i fundit i Papës Françesku në tokën jordaneze qe ai me rreth 600 refugjatët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara, në kishën latine të vendit ku është pagëzuar Jezu Krishti. Ngjyra e tinguj e flamuj për këtë përqafim, që u desh me gjithë zemër nga Ati i Shenjtë, i cili është shumë i ndjeshëm ndaj gjendjes së njerëzve, që vuajnë nga mizoritë e kësaj bote. Fëmijë, burra e gra, murgesha e vullentarë, të gjithë rreth Papës, për të dëgjuar thirrjen e tij të fuqishme kundër konflikteve e denoncimin kundër prodhuesve të armëve, që mbjellin vetëm vdekje, por edhe për t’i dëshmuar Atit të Shenjtë gjendjen e tyre, sëmundjen, e njëkohësisht edhe besimin në Zotin, që i ndihmon t’i kapërcejnë vështirësitë e jetës. Në këta njerëz, siç ka thënë gjithnjë, Papa sheh “fytyrën e Jezusit” dhe dashurinë e Tij, që na jep dinjitet e na dhuron shëlbim. Që në fillim, Ati i Shenjtë e shpjegoi mjaft mirë këtë përparësi të magjisterit të tij:
“Në shtegtimin tim, desha me gjithë shpirt t’ju takoj juve, që për shkak të konflikteve të përgjakura, jeni detyruar t’i lini shtëpitë dhe atdheun, duke gjetur strehë në tokën mikpritëse të Jordanisë; e edhe juve, që mbani peshën e ndonjë kufizimi fizik”.
E Papa nuk vonoi ta inkuadrojë gjendjen e refugjatëve dhe të njerëzve me kufizime fizike në Ungjill, duke shpjeguar edhe ku po zhvillohej takimi:
“Vendi në të cilin ndodhemi, na kujton pagëzimin e Jezusit. Duke ardhur këtu në lumin Jordan, për t’u pagëzuar nga shën Gjoni, Ai na tregon se e ndan me ne gjendjen e Tij njerëzore: me dashurinë e Tij na kthen dinjitetin e na dhuron shëlbimin. Na bën gjithnjë përshtypje kjo përvuajtëri e Jezusit, përkulja e Tij mbi plagët e njeriut për t’i shëruar. E nga ana jonë, prekemi thellë nga dramat e plagët e kohës sonë, në mënyrë të veçantë, nga ato që shkaktohen prej konflikteve akoma në vijim në Lindjen e Mesme”.
Papa përmendi Sirinë e shkatërruar nga lufta vëllavrasëse, që vazhdon prej tre vitesh, duke mbjellë viktima të panumërta e duke detyruar miliona njerëz të bëhen refugjatë e të strehohen në vende të tjera. E në këtë pikë, e la letrën mënjanë dhe pa lexuar, bubulloi:
“Rrënjët e së keqes janë urrejtja dhe lakmia për para në fabrikat dhe në shitjen e armëve. ...Kush ua jep armët vendeve në konflikt, për të vazhduar konfliktin? … Duhet të lutemi për këta njerëz të mjerë, për këta kriminelë, që të kthehen në udhën e Zotit”.
Ati i Shenjtë falenderoi autoritetet dhe popullin jordanez për mikpritjen, që i kanë rezervuar numrit të madh të të ikurve nga Siria dhe Iraku, e u shprehu mirënjohjen edhe të gjithë atyre që i ndihmojnë, përfshirë institucionet kishtare si Karitasi i Jordanisë. Ata kujdesen për të gjithë nevojtarët, pa dallim feje, etnie, apo ideologjie, duke e bërë kështu të dukshme fytyrën e Jezusit të mëshirshëm. Ati i Shenjtë i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të mos e lerë vetëm Jordaninë në përballimin e emergjencës humanitare, por ta mbështesë dhe ta ndihmojë. Papa rinovoi thirrjen e tij për Sirinë me fjalë të fuqishme:
“Të ndalet dhuna e të respektohet e drejta humanitare, duke garantuar asistencën e nevojshme për popullsinë e vuajtur! Të gjithë ta lenë mënjanë pretendimin se armët do t’i zgjidhin problemet e të kthehen në udhën e bisedimeve. Vërtet, zgjidhja mund të vijë vetëm nga dialogu dhe gjakftohtësia, nga mëshira për të vuajturit, nga kërkimi i një zgjidhjeje politike e nga ndjenja e përgjegjësisë ndaj vëllezërve. …Uroj sërish të mbizotërojnë arsyeja dhe gjakftohtësia e që, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, Siria të gjejë udhën e paqes. Zoti i ktheftë të dhunshmit e ata, që kanë plane lufte, si edhe i forcoftë zemrat dhe mendjet e veprimtarëve të paqes e i shpërbleftë me shumë bekime”.
Në veçanti, Papa u kërkoi të rinjve të bashkohen me të e me të tjerët në lutjen për paqen, duke i ofruar Zotit lodhjen e përditshme, duke bashkëpunuar për ndërtimin e një shoqërie që i respekton më të brishtët, të sëmurët, fëmijët e të moshuarit. Pavarësisht nga vështirësitë e jetës, i këshilloi Ati i Shenjtë të rinjtë, të jeni shenjë shprese.







All the contents on this site are copyrighted ©.