2014-05-24 12:10:29

Papa Françesku arriti në Aman


Papa Françesku u nis drejt Tokës Shenjte, për shtegtimin e dytë ndërkombëtar të papnisë së tij, pas DBR-së së Rio de Zhanejros. Avioni papnor, një A321 i Alitalia-s, u shkëput nga aeroporti i Fiumicino-s, rreth orës 8.25. Arriti në Aman të Jordanisë rreth orës 12.00, me orën evropiane. Dje paradite Papa shkoi në Santa Maria Maggiore per t’ia besuar Zojës këtë shtegtim.Pas përshëndetjes së mirëseardhjes, veprimtaria kryesore e sotme është Mesha Shenjte, në të cilën priten të marrin pjesë rreth 50 mijë vetë. Kremtimi do të mbahet në Stadiumin Ndërkombëtar të Amanit e do të shoqërohet nga më se njëmijë gazetarë të akredituar, ardhur nga anë e anës në kryeqytetin jordan për të ndjekur ditën e parë të këtij shtegtimi.
Mbretëria Hashemite kujton me krenari se Mbreti Abdallah II e ka takuar dy herë Papën e se sot Jordania është vendi i parë i vizituar nga katër papë, këto pesëdhjetë vjetët e fundit.
Papa Françesku shkeli në trojet e këtij vendi për të konfirmuar impenjimin e Mbretit Abdallah në favor të dialogut ndërfetar e të paqes në një Lindje të Mesme krejt të paqëndrueshme në të gjitha drejtimet e në të gjitha vendet: nga Siria, në Irak, Egjipt e në kufirin e trazuar ndërmjet Izraelit e Palestinës. Ati i Shenjtë e viziton Jordaninë, për të njohur impenjimin e vendit në mirëpritjen e refugjatëve, gjë që rëndon mbi një ekonomi me burime krejt të varfëra.
Por, mbi të gjitha, për ta përfocuar në fe bashkësinë e vogël të krishterë, që gëzon liri kulti, por jo liri absolute fetare e tundohet vazhdimisht të largohet nga viset e shenjta.
Papa viziton këto vise sidomos për të pohuar se Kisha nuk mund ta pranojë kurrë një Lindje të Mesme pa të krishterë! Në Aman janë edhe të dërguarit e Radio Vatikanit, që do ta ndjekin nga afër gjithë shtegtimin papnor.







All the contents on this site are copyrighted ©.