2014-05-24 18:52:32

Betania përtej Lumit Jordan


Zona e “Betanisë përtej Jordanit” ishte qëndra e veprimtarisë së Gjon Pagëzuesit dhe skena e jetës publike të Jezusit. Këtu Gjon Pagëzuesi nisi t’i ftonte njerëzit të bënin pendesë, sepse mbretëria e qiejve nuk ishte larg. Këtu kujtoi profecinë e Izaisë profet:
“Do të dëgjohet një zë,
që do të bërtasë në shkretëtirë:
Përgatitjani rrugën Zotit;
drejtoni shtigjet e tija;
luginat do të mbushen;
e malet e kodrat do të rrafshohen;
e rrugët e shtrembëra do të bëhen të drejta;
e shtigjet e thyeshme - të sheshta;
e njerëzimi mbarë do ta shohë
shëlbimin që vjen prej Perëndisë”.
Gjoni endej në këto vise i veshur me gozhup deveje e me një brez lëkure në përmjet; ushqimi i tij ishin karkalecat e mjalti i bletëve të egra. E tek ai ngarendnin njerëz nga Jeruzalemi, nga gjithë Judeja e nga viset e bregut të Jordanit e, duke rrëfyer mëkatet, pagëzoheshin prej tij në Jordan. E ai pohonte: “Unë ju pagëzoj me ujë në shenjë të pendesës suaj; por ai, i cili do të vijë mbas meje, është më i fuqishëm se unë, e unë s’jam i denjë as t’ia zbath sandalet; ai do t’ju pagëzojë në Shpirtin Shenjt e në zjarr. Ai ka ndër duar tërplotën e drithit, do ta pastrojë lëmin e do ta mbledhë grurin në hambarë, por bykun do ta djegë në një zjarr të pashueshëm”.
Këto vise, me emrin Betani, ku predikoi Shën Gjoni e ku pagëzoi Krishtin, sot janë ende të varrosura e pozicioni i tyre nuk është i përcaktuar plotësisht. Ka shumë mundësi të ndodhen rreth 200 metra në lindje të kodrës së Elisë Profet, ku nuk kanë filluar akoma gërmimet arkeologjike. Zona njihet me emrin Wadi Al-Kharrar’ (Lugina melodioze), për shkak të një melodie të lehtë, jashtëzakonisht të këndshme, e cila përhapet nga ujërat e Jordanit, që patën fatin të preknin korpin e Krishit.
Zona është 350 metra nën nivelin e Mesdheut, pak kilometra larg nga pika, ku lumi zgjërohet e derdhet në ‘Detin e Vdekur’; ‘Deti i Kripur’ i Besëlidhjes së Vjetër (Dt 3,17; Joz 3,16; Nr 34,12) e ‘Deti i Lotit’ i dorëshkrimeve arabe. Këtu ndodhet edhe qendra arkeologjike, që njihet si ‘Baptism Site”, pranë së cilës është ngritur edhe kantieri për ndërtimin e Kishës së latinëve. E pikërisht këtu Benedikti XVI bekoi , më 2009, gurët e parë të Kishave të latinëve e të greko-melkitëve: ugur për të ardhmen e krishterimit në viset e Krishtit.








All the contents on this site are copyrighted ©.