2014-05-23 12:54:15

Papa Françesku, në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, në prag të shtegtimit në Tokën e Shenjtë


Sot paradite Papa Françesku shkoi, në formë private, në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe për t’u lutur e për t’ia porositur Zojës shtegtimin e tij, tashmë krejt të afërt, në Tokën e Shenjtë. Pas lutjes, që zgjati 15 minuta, Papa Françesku vuri te këmbët e Zojës Shpëtimi i Popujve Romakë, një tufë me trëndafila maji.
Është hera e tetë që Françesku shkon në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe: për herë të parë ishte këtu më 14 mars, një ditë pas zgjedhjes. Kryeprifti i Bazilikës, kardinali Santos Abril y Castelló kujton se në mbrëmjen pas zgjedhjes, më 13 mars, ishte për darkë tek Françesku. E Papa i tha: “Dua të shkoj për një vizitë të shkurtër tek Zoja, nesër, për ta vënë nën mbrojtjen e saj gjithë papninë time”.Kardinali nënvizon devocionin e madh marian të Papës Françesku që, kohët e fundit, i ftoi besimtarët ta thonë ditë për ditë Rruzaren. Ati i Shenjtë, pohon kardinali y Castelló, vjen në Shën Marinë e Madhe me kënaqësi të jashtëzakonshme, sepse në Nënën e Krishtit gjen prijësen e frymëzuesen për gjithë veprimtarinë e tij.









All the contents on this site are copyrighted ©.