2014-05-23 14:06:19

Mesazh i ipeshkvijve evropianë për udhëtimin e Papës në Tokën Shenjte


Shtegtimi i Papës Françesku në Tokën Shenjte qoftë për evropianët rast për të dëshmuar afërsinë me të gjithë vëllezërit e krishterë e me banorët e tokës së Krishtit, të cilët e kanë ruajtur fenë, pavarësisht nga ngjarjet e vështira të historisë së tyre dymijëvjeçare. Kështu shkruhet në mesazhin e Presidencës së Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës, në prag të udhëtimit të Atit të Shenjtë. Të krishterët e Tokës Shenjte, vazhdon teksti, i falenderojmë për dëshminë e përditshme të jetës sipas fesë e, sidomos, për dëshminë e fesë së krishterë. Jeni për ne, shkruajnë ipeshkvijtë evropianë, nxitje dhe inkurajim.
Në mesazh përmendet jo vetëm takimi ndërmjet Papës Françesku dhe Patriarkut ortodoks Bartolomeu, kulmi i shtegtimit të Atit të Shenjtë, por edhe kremtimi ekumenik i përfaqësuesve të të gjitha Kishave të krishtera të Jeruzalemit në Varrin e Krishtit, lutja e parë e përbashkët në histori. Së fundi, ipeshkvijtë evropianë shpresojnë që shtegtimi i Papës të kontribuojë në përparimin e bisedimeve për paqen e qëndrueshme ndërmjet popullsive të kësaj toke, “e cila prej vitesh thërret: Paqe!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.