2014-05-22 11:33:01

Papa Françesku në Tokën Shenjte. Vëmendje për gjestet e vëllazërimit


“Të shpresojmë që Shpirti Shenjt të veprojë për t’i hapur zemrat. Në politikë, punohet për të arritur maksimumin, por në një këndvështrim humanist, mund të mendojmë se gjithçka na përket, pavarësisht se u përket të tjerëve, mund të gjejmë bashkimin, jo pavarësisht nga ndryshimet, por falë ndryshimeve, që janë pasuri”. Atë Samir Khalil Samir, jezuit, drejtor i Qendrës së Dokumentacionit dhe të Punës Kërkimore arabo-kristiane në Universitetin e Shën Jozefit në Bejrut të Libanit, komenton gjendjen në Tokën Shenjte para shtegtimit apostolik të Papës Françesku, nga 24 deri më 26 maj. “Ajo që duam ne në Lindjen e Mesme – nënvizon ai – është diçka e vogël, por me vlerë të rëndësishme simbolike: unifikimi i kalendarit liturgjik për të festuar kështu, së bashku, katolikë dhe ortodoksë. Çfarë trishtimi kur festojmë dy herë Mundimet dhe Ngjalljen e Krishtit”.
Eskperti i Lindjes së Mesme, gazetari italian Giorgio Bernardelli, fton të shihet me interes etapa e Jordanisë. “Takimi me të varfërit dhe me refugjatët – komenton ai për Radio Vatikanin – do të jetë shumë i fuqishëm, rast për të theksuar aspektin njerëzor të udhëtimeve papnore. Zakonisht, në rrethana si këto, priremi të vendosim në plan të parë përmasën politike, sidomos në Lindjen e Mesme, ku çdo fjalë, çdo gjest, interpretohet sipas dëshirës nga njëra palë apo tjetra. Në të vërtetë, forca e këtij udhëtimi qëndron në aftësinë e Papës Françesku për të nxjerrë në pah aspektin njerëzor në tragjeditë, që përjetohen. Papa do të prekë me siguri kordat më të thella të zemrave, për të shembur barrierat. Këtu, sfida më e vështirë është rikthimi i shpresës. Ne evropianët nuk kemi parë të derdhet gjak vitet e fundit, prandaj nuk e kuptojmë sa duhet dramaticitetin e këtij rajoni, por tensionet i kanë lodhur njerëzit, që ka rrezik ta lenë veten në dorën e fatit”.
Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet krishterimit dhe myslimanizmit, Adnane Mokrani, teolog mysliman, pedagog në Institutin Papnor të Studimeve Arabe dhe Islamistike, thekson se “të krishterët e Tokës Shenjte po pakësohen. E shoh vizitën e Papës - deklaron ai për Radio Vatikanin – si inkurajim për të mos ikur. Prania e tyre është rezistencë kulturore. Vetë myslimanët kanë nevojë për ta, sepse shoqëria palestineze pluraliste, ku myslimanë e të krishterë jetojnë së bashku, është pjesë e vetë identitetit palestinez. Humbja e një përmase të këtij identiteti, do të ishte humbje e madhe për myslimanët”. E në fund, Mokrani shton: “Shpresoj që vizita e Papës të na bëjë të mendojmë për ata, që vuajnë. Do të jetë akt solidariteti dhe shenjë paqeje”.








All the contents on this site are copyrighted ©.