2014-05-22 12:16:53

Papa Françesku: gëzimi tregon shëndetin e të krishterit


Gëzimi është “vula e të krishterit”, edhe në dhimbje dhe në ngushticë. Kështu pohoi Papa Françesku në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës. Papa theksoi edhe një herë se i krishteri nuk mund të jetë i trishtuar dhe nënvizoi se Shpirti i Shenjtë na mëson të duam dhe na mbush me gëzim.RealAudioMP3
Jezusi, tha në fillim Papa Françesku, para se të shkonte në qiell, ka folur për shumë gjëra, por gjithmonë është ndaluar tek tri fjalë kyçe: “paqja, dashuria dhe gëzimi”. Për paqen, pohoi Ati i Shenjtë, “na thoshte se nuk na e jep paqen, siç e jep bota”, por një paqe, që është përgjithmonë. Për dashurinë, vijoi, ka thënë shumë herë “se urdhri ishte të duash Hyjin dhe të duash të afërmin” dhe në kapitullin 25 të Ungjillit sipas Mateut ka caktuar një lloj protokolli “në bazë të cilit do të gjykohemi të gjithë”. Në Ungjillin e sotëm, vërejti më tej, “Jezusi thotë një gjë të re për dashurinë: ‘Jo vetëm duani, por qëndroni në dashurinë time’”:
“Kjo është thirrja e krishterë: të qëndrojmë në dashurinë e Hyjit, domethënë të marrim frymë, të jetojmë me atë oksigjen, të jetojmë me atë ajër. Të qëndrojmë në dashurinë e Hyjit. Me këtë e mbyll thellësinë e ligjërimit të tij mbi dashurinë dhe shkon edhe më tej. Po si është dashuria e tij? ‘Sikurse Ati më deshi mua, edhe unë ju desha ju’. Është një dashuri, që vjen nga Ati. Marrëdhënia e dashurisë, që ka me Atin, është edhe marrëdhënia e dashurisë, që ka me ne. Dhe neve na kërkon të qëndrojmë në këtë dashuri, që vjen prej Atit”.
“Paqen, që nuk vjen nga bota – vijoi Papa – e jep ai”. Ai e jep “dashurinë që nuk vjen nga bota, por nga Ati”. Pastaj Papa Françesku u ndal tek thirrja e Jezusit: “Qëndroni në dashurinë time”. Shenja se ne “qëndrojmë në dashurinë e Jezusit”, vuri në dukje, “është mbajtja e urdhërimeve”. Nuk mjafton t’i ndjekim. “ Kur qëndrojmë në dashuri – theksoi – urdhërimet vijnë vetë, nga dashuria”. Dashuria “na shtyn t’i përmbushim urdhërimet në mënyrë të natyrshme. Rrënja e dashurisë lulëzon me urdhërimet”. E këta janë “si një fill”, që lidh një “zinxhir: Atin, Jezusin, ne”. Pastaj Papa Françesku i kushtoi vëmendje gëzimit:
“Gëzimi është si shenjë dalluese e të krishterit. I krishteri pa gëzimin ose nuk është i krishterë, ose është i sëmurë. Nuk ka rrugë tjetër. Kështu nuk është mirë me shëndet. Me shëndetin e krishterë: gëzimin. Një herë kam thënë se disa të krishterë e kanë fytyrën si spec djegës regjur në uthull... Gjithmonë me atë fytyrë. Edhe me atë shpirt. Kjo është e shëmtuar. Këta nuk janë të krishterë. Një i krishterë pa gëzim nuk është i krishterë. Gëzimi është si vula e të krishterit. Edhe në dhimbje, në ngushticë, në përndjekje, gjithashtu”.
Papa kujtoi se për martirët e hershëm thuhej se shkonin “drejt martirizimit si në dasëm”. Është gëzimi i të krishterit, “që ruan paqen dhe ruan dashurinë”. Paqe, dashuri dhe gëzim: “tri fjalët që na lë Jezusi”. E kush e jep këtë paqe, këtë dashuri, “kush – pyeti Papa – na e jep gëzimin? Shpirti i Shenjtë”:
“I harruari i madh i jetës sonë” Unë do të doja t’ju pyesja: sa prej jush i luteni Shpirtit të Shenjtë? Nuk po e ngreni dorën... Është i harruari i madh, i harruari i madh! E ai është dhurata, dhurata që na jep paqen, që na mëson të duam dhe që na mbush me gëzim. Në lutje i kemi bërë këtë kërkesë Zotit: ‘Ruaje dhuratën tënde’. Kemi kërkuar hirin që Zoti ta ruajë Shpirtin e Shenjtë në ne. Zoti na e dhëntë këtë hir: ta ruajmë gjithmonë në ne Shpirtin e Shenjtë, atë Shpirt që na mëson të duam, na mbush me gëzim dhe na jep paqe”.








All the contents on this site are copyrighted ©.