2014-05-21 13:14:36

Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë: “Pushteti i Marisë”. par. 44, 45, 46


Vijojmë shfletimin e “Traktatit të devocionit të vërtetë për Marinë”, shkruar nga Shën Luigji Maria Grignion de Monfort, prijës i meditimeve tona për majin e Zojës. Duke u ndaluar sot tek paragrafet 44, 45 e 46 nga kapitulli “Pushteti i Marisë”, gjejmë përgjigje për një pyetje tejet të rëndësishme, që çdo i krishterë ia bën vetes, në sa kërkon ndërmjetësimin e Marisë në ditë të vështira, duke gjetur gjithnjë hir, deri tek caku! Pse?RealAudioMP3


44. Vetë Maria gjeti hir para Hyjit pa ndihmën e asnjë krijese tjetër të thjeshtë. Pas saj, të gjithë ata, që gjetën hir para Hyjit, e gjetën vetëm me ndërmjetësinë e saj. E edhe ata që do të vijnë në të ardhshmen, do të vijojnë ta gjejnë vetëm përmes saj. Maria ishte hirplote, që në çastin e përshëndetjes së Kryeengjëllit Gabriel e u rrëmbush me begatinë e Shpirtit Shenjt, kur shtriu mbi të hijen e tij të pagabueshme. Më pas nisi të rritej aq, prej dite në ditë e prej çasti në çast në këtë përsosuri të dyfishtë, sa të arrinte një pikë hiri të pakufishme e të papërfytyrueshme. E Hyji e bëri të vetmen rojtare të thesareve të Tij e ia dha, vetëm asaj, pushtetin t’i shpërndajë hiret e Tij, që kështu ta madhërojë, ta lartojë e ta pasurojë atë që do, duke e bërë të hyjë, nëpër udhën e ngushtë të qiellit e të përshkohet, me çdo kusht, nëpër pragun e portës së ngushtë të jetës, e duke i dhënë kujt dëshiron, fronin, skeptrin e kurorën mbretërore. Jezusi është kudo e gjithnjë fryti e Biri i Marisë; e Maria është kudo, pema që mbart frytin e jetës e nëna e vërtetë, që e lidh këtë fryt.

45. Vetëm Marisë Hyji i dha kyçet e dhomave të dashurisë hyjnore; asaj ia dha pushtetin të hyjë në udhët sublime e sekrete të përkryerjes e t’u prijë edhe të tjerëve. Maria është e vetmja që ua hap derën e Parrizit tokësor bijve të mjeruar të Evës, të pabesës, që të mund të shëtisin këndshëm me Hyjin, të gjejnë strehë të sigurt për t’u mbrojtur nga armiqtë, të ushqehen me kënaqësi, e pa u trembur më nga vdekja – me frytin e pemës së jetës e të shkencës të së mirës e të së keqes e - të pijnë me gllënjka të gjata ujërat qiellore të kësaj gurre të bukur, që gufon begatisht. Madje është ajo vetë ky parriz tokësor, kjo tokë e virgjër, e bekuar, nga cila Eva e Adami mëkatarë, u flakën jashtë; e ajo i lë të hyjnë vetëm ato e ata, të cilëve dëshiron t’u prijë kah shenjtëria.

46. “Më të pasurit e popullit”, për të bërë timen shprehjen e Shpirtit Shenjt e shpjegimin e Shën Bernardinit, “fytyrën tënde kërkojnë” në shekuj të shekujve e sidomos, në fund të botës; shenjtorët më të mëdhenj, shpirtrat më të pasura në hire e virtyte, do të jenë më të zellshëm për t’iu lutur Virgjërës Shenjte e për ta pasur gjithnjë parasysh, si modeli i tyre i përkryer për t’i përngjarë e ndihma e pushtetshme, për t’i mbajtur gjithnjë në këmbë.








All the contents on this site are copyrighted ©.