2014-05-21 17:12:37

Shpresa nga vizita e kardinalit të Seulit, në Korenë e Veriut


Kryeipeshkvi i Seulit, Andrew Yeom Soo-jung, është kardinali i parë katolik, që shkeli në trojet e Koresë së Veriut. Njoftimin e jep agjencia Fides. Hirësia e Tij kapërceu kufirin dhe kreu një vizitë të shkurtër në zonën industriale të Kaesong, ku, mbi bazën e një marrëveshjeje ndërmjet dy vendeve, ngrihen ndërmarrje e vepra të tjera industriale, ku punojnë pranë e pranë qytetarë të veriut e të jugut të Koresë. Shtegtimi i shkurtër i kardinalit Yeom, që është edhe administrator apostolik i Pyongyang-ut, kishte për qëllim vizitën në kompleksin, simbol i bashkëpunimit ndërmjet Veriut e Jugut, edhe në këtë çast tensioni, e takimin me jugkoreanët, që punojnë aty, duke u lënë atyre një mesazh inkurajimi e shprese. Një zëdhënës i Ministrisë për Bashkimin e Koresë, në Seul, deklaroi: “Shpresojmë që vizita e kryeipeshkvit të jetë një hap i nevojshëm për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Veriut e Jugut”. Zona industriale e Kaesong-ut është projekti më i ri për riafrimin e zonave kufitare ndërmjet dy Koreve që, teknikisht, pas armëpushimit ndërmjet dy gjysmave të vendit, janë ende në gjendje lufte.








All the contents on this site are copyrighted ©.