2014-05-21 15:35:08

Papa në audiencën e përgjithshme: nëse nuk e ruajmë krijimin, do të na shkatërrojë


Nëse ti nuk kujdesesh për Krijimin, krijimi do të të shkatërrojë!” E pohoi Papa Françesku, në audiencën e përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, kushtuar dhuratës shpirtërore të “dijes”. Papa bëri thirrje të ruhen natyra e ambienti, duke i vlerësuar si dhurata më e bukur, që i bëri Zoti njerëzimit.RealAudioMP3
Dije përtej dijes, domethënë t’i kuptosh jo vetëm bukuritë e gjithësisë, por të dëgjosh edhe zërin e Zotit në këto mrekulli, duke e respektuar natyrën e universin, parë si dhuratë për të gjithë, pa e shpërdoruar, si të ishte natyra pronë private. Kjo shkencë e veçantë, është një nga shtatë dhantitë e Shpirtit Shenjt.
Gjatë katekizmit të sotëm, zhvilluar më shumë duke folur lirisht, kushtuar temës, që e ka shumë për zemër, Papa Françesku pohoi se kur njeriu ndalet për të admiruar madhështinë e kozmosit, në të gjitha mrekullitë e tij, Shpirti Shenjt i flet zemrës, e shtyn të njohë, përtej mrekullimit, shenjën e dashurisë së pambaruar të Hyjit për të e për gjithçka e rrethon. Prej këndej, njeriu nuk duhet të kufizohet duke e soditur, e aq më pak, duke e shfrytëzuar sipas interesave të veta gjithësinë, që Hyji e krijoi për të. Nësa e sodit, duhet ta kuptojë se është para një dhurate të paçmuar. E një perceptim i tillë i bukurisë e i mirësisë, nënvizoi Papa Françesku, buron, në një farë mënyre, nga ndjesitë që vetë Hyji provoi në ag të krijimit:
“Nëse Hyji pa se krijimi ishte gjë e bukur e gjë e mirë, edhe ne duhet të sillemi kështu, ta shikojmë se krijimi, gjithësia, është gjë e mirë dhe e bukur. Ja, kjo është dhurata e dijes, e njohjes së kësaj bukurie: ta lavdërojmë e ta falënderojmë Hyjin, që na dha gjithë këtë bukuri. Kjo është udha. Pastaj, kur Hyji e kreu krijimin e njeriut, Shkrimi Shenjt nuk thotë: ‘E Ai e pa se ishte gjë e mirë’; thotë: ishte shumë e mirë. Eh? Na afron me Të. Para syve të Hyjit ne jemi gjëja më e bukur, më e madhe, më e mirë e gjithësisë. ‘Por, o atë, a s’janë engjëjt?’ Jo, engjëjt janë më poshtë se ne, ne jemi diçka më shumë se engjëjt”.
Dhurata e shkencës është themelore edhe për anën tjetër të medaljes, domethënë, na tërheq vëmendjen të ruhemi nga rreziku i madh e i përhershëm që na josh ta shikojmë veten si zotër të krijimit:
Krijimi nuk është pronë, të cilën mund ta zotërojmë sipas qejfit; e aq më pak, pronë, që u përket vetëm pak njerëzve. Gjithësia është dhuratë, dhuratë mahnitëse, që na bëri Hyji, për ta ruajtur e për ta përdorur në dobi të të gjithëve, gjithnjë me respekt të madh e mirënjohje të madhe”.
Nuk duhet të jemi pronarë, prandaj, as shfrytëzues, por mbrojtës të krijimit në tërësinë e tij. Ky, shpjegoi Papa, është roli i vetëm, që duhet të luajë njeriu:
Ne jemi roje të krijimit. Po kur e shfrytëzojmë krijimin, rrënojmë shenjën e dashurisë së Zotit (…). Ta ruajmë, prandaj, sepse po ta shkatërrojmë, do të na shkatërrojë. Të mos e harrojmë kurrë këtë. Një herë, kur isha në një fshat, dëgjova një fjalë të urtë nga goja e një njeriu të thjeshtë, që i donte shumë lulet. E ai më tha: ‘Duhen ruajtur këto bukuri, që na i dhuroi Zoti. Krijimi na u dhurua ne, që të përfitojmë mirë prej tij. Të mos e shfrytëzojmë. Ta ruajmë. Sepse ju e dini vetë, o atë - kështu më tha burri i thjeshtë – se Hyji fal gjithnjë. (…). Po krijimi, o atë, nuk të fal kurrë, nëse ti nuk e ruan, ai të shkatërron!”.
Në çastin e përshëndetjeve drejtuar grupeve të gjuhës italiane, Papa kujtoi se të shtunën e ardhshme, në Aversë të Kampanies, do të shpallen të Lum meshtari i Pime-s, Mario Vergara si dhe Ngei Ko Lat, shekullar e katekist, mbytur më 1950 në Birmani, nga urrejtja për fenë:
Besnikëria e tyre heroike ndaj Krishtit, qoftë inkurajim e shembull për misionarët e, posaçërisht, për katekistët që, në tokat e misionit, kryejnë veprimtari të pazëvendësueshme apostolike, për të cilën mbarë Kisha u shpreh mirënjohje të thellë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.