2014-05-21 13:14:23

Papa lutet për të përmbyturit e Ballkanit dhe katolikët në Kinë


Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa bëri dy thirrje: për Ballkanin e përmbytur nga shirat e Kinën, në festën e Pajtores së vet.
Mendimi im, tha Françesku, shkon tek popullsitë e Bosnjë-Hercegovinës e të Serbisë, të dëmtuara rëndë nga vërshimet dhe përmbytjet, që shkaktuan vdekjen e shumë njerëzve, shpërnguljen e të tjerëve e dëme të pallogaritshme. Për fat të keq, situata vijon të keqësohet, prandaj ju ftoj të bashkoheni me mua në lutje për viktimat si dhe për të gjithë njerëzit e vënë në këtë provë të rëndë nga kjo fatkeqësi e natyrës. Uroj që të mos u mungojë vëllezërve tanë solidariteti ynë e ndihma konkrete e bashkësisë ndërkombëtare. Të gjithë së bashku ju ftoj t’i luteni Zojës për popullsitë e Bosnjës dhe të Hercegovinës si dhe të Serbisë.

Më 24 maj kremtohet festa liturgjike e Zojës Ndihmëtare, që nderohet me devocion të veçantë në shenjtëroren e Sheshanit në Shangai. U kërkoj të gjithë besimtarëve të luten që, nën mbrojtjen e Nënës Ndihma e të Krishterëve, katolikët e Kinës të vijojnë të besojnë, të shpresojnë, të duan e të jenë, në çdo rrethanë, tharm i bashkëjetesës së harmonishme ndërmjet bashkëqytetarëve të tyre.








All the contents on this site are copyrighted ©.