2014-05-21 15:35:34

Imzot Zhimovski: ndryshimet e klimës, me pasoja shkatërruese


“Selia e Shenjtë është e vetëdijshme për pasojat shkatërruese, që vijnë nga ndryshimet e klimës”: kështu deklaroi kryetari i Këshillit Papnor për baritorinë e shëndetit, imzot Zigmunt Zhimovski në Asamblenë e 67-të të OKB-së për Shëndetësinë, që po mbahet në Gjenevë.
“Është provuar tashmë – tha prelati – se veprimtaria e njeriut ka kontribuar mjaft në ngrohjen e sipërfaqes tokësore dhe se ndryshimet e klimës së bashku me pasojat nuk do të ndalen në të ardhmen. Gjithashtu, është vërejtur se ky ndryshim do të sjellë rëndimin e problemeve ekzistuese të shëndetit. Rrezikun më të madh e kalojnë popullsitë, që edhe tani vuajnë nga sëmundje, të varura nga klima”.
Përballë kësaj krize ekologjike, vazhdoi imzot Zimovski, duhet të shohim përtej çështjeve thjesht shkencore, mjekësore dhe ekonomike, që lidhen me ndryshimet e klimës. Duhet t’i takojmë njerëzit, që vuajnë prej tyre. Kreu i dikasterit vatikanas për shëndetësinë bëri thirrje për më tepër solidaritet dhe për një plan me ndërhyrje aty ku njerëzit kanë më pak mundësi për të kundërshtuar disi pasojat e klimës.
Temat e tjera, që trajtoi imzot Zimovski, vunë në dukje problematikat dhe përparimet e bëra në fushën e përmirësimit të jetesës së njerëzve me probleme autizmi, si edhe rëndësinë e ushqimit të fëmijëve të sapolindur me qumështin e nënës, ideal për parandalimin e sëmundjeve të ndryshme si për fëmijën, ashtu edhe për nënën.








All the contents on this site are copyrighted ©.