Papa, ipeshkvijve italianë: asgjë nuk i justifikon ndarjet
Mungesa e plotë ose e pjeshme e bashkimit përbën shkandullin më të madh, herezinë,
që e shëmton fytyrën e Zotit dhe e përçan Kishën e Tij. Asgjë nuk e justifikon ndarjen.
Kështu u foli Papa Françesku mbrëmë, ipeshkvijve italianë të mbledhur në Vatikan,
në Asamblenë e tyre të 66-të të Përgjithshme. Ja thirrja e Atit të Shenjtë për unitet: “Si barinj,
duhet të largohemi nga tundimet, që na shpërfytyrojnë: si marrja e kohës vetëm për
vete, sikur të mund të gjenim mirëqënien pavarësisht nga bashkësitë tona; thashethemet,
të vërtetat gjysmake, që kthehen në gënjeshtra; litanitë e ankimeve, që tregojnë për
zhgënjime të brendshme. Meshtarët tanë… t’i edukojmë të mos ndalen në llogaritë e
hyrjeve e të daljeve, për të verifikuar nëse ajo që besojnë se kanë dhënë korrespondon
me të korrat… Si barinj, të jeni të thjeshtë në stilin e jetës, mos u lidhni me botën,
të jeni të varfër e të mëshirshëm… Mos harroni të përkuleni me dashuri mbi ata, që
e kanë zemrën plagë nga kompromentimi i planit të tyre për jetën... T’i ndihmojmë
njerëzit të mos e lëshojnë veten në prehrin e katastrofizmit, duke mbështetur me çdo
formë solidariteti problemet e atyre, që së bashku me punën, u kanë marrë edhe dinjitetin”.