2014-05-20 14:08:08

Atë Picabala: pritet me padurim vizita e Papës në Tokën Shenjte


Në Tokën Shenjte, vazhdojnë përgatitjet për shtegtimin e Papës Françesku, i cili do të shkojë në ato troje nga data 24 deri më 26 maj, me rastin e 50-vjetorit të takimit ekumenik ndërmjet Papës Pali VI dhe Patriarkut Atenagora. Për mënyrën si po përjetohen ditët para vizitës së Atit të Shenjtë, të dëgjojmë Rojtarin e Tokës Shenjte, atë Pierbatista Picabala:RealAudioMP3
Udhëtimi i Papës Françesku karakterizohet veçanërisht nga inkurajimi i madh për gjithë bashkësinë e krishterë, jo vetëm për atë katolike, këtu në Tokën Shenjte. Do të jetë një udhëtim, që inkurajon dhe mbështet praninë e krishterë, sjell ngushëllim, sidomos me takimin ndërmjet Papës Françesku dhe Patriarkut Bartolomeu në Varrin e Krishtit, që do të jetë një shenjë e madhe dhe një gjest bashkimi ndërmjet të gjithë të krishterëve të botës, por sidomos ndërmjet atyre të Tokës Shenjte.
Si e shohin hebrenjtë dhe myslimanët këtë vizitë papnore?
Ka pasur episode, që ndoshta, e kanë shqetësuar këtë pritje të gëzueshme. Por, duhet të them, se si nga ana izraelite, ashtu edhe nga ana myslimane, ka kuriozitet të madh dhe qëndrim shumë pozitiv ndaj Papës Françesku, të cilin e duan fort të gjithë.
Ç’ka mbetur nga vizitat e mëparshme të Shën Gjon Palit II dhe të Benediktit XVI?
Shën Gjon Pali II ka lënë një kujtim të pashlyeshëm. Pas shumë vjetësh, ishte Papa i parë që hyri zyrtarisht në Izrael dhe bëri gjeste shumë të rëndësishme, si në Yad Vashem, si në Murin e Lotëve, ashtu edhe me vizitën në xhami. Ndryshoi paragjykimet e opinionit publik për Kishën Katolike. Edhe Benedikti XVI ka lënë një kujtim të thellë në bashkësinë e krishterë, me kremtimet dhe me fjalën e tij shumë të fuqishme e shumë të qartë.
Ky shtegtim papnor mund të zhbllokojë bisedimet e filluara që në vitin 1993 për nënshkrimin e Marrëveshjes bazë ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Izraelit?
Marrëveshja bazë është diskutuar tashmë që prej shumë vjetësh e kemi rënë dakord, në përgjithësi, për të gjitha temat. Tani duhet ta përfundojmë punën e kjo do të kërkojë edhe pak kohë. Qëllimisht, nuk deshëm ta lidhim vizitën e Papës me nënshkrimin e marrëveshjes, pikërisht për ta lënë Papën të lirë nga çështjet diplomatike e për t’i dhënë vizitës një frymëmarrje më të gjerë.
Sa herë që një Papë shkon në Viset e Krishtit, flitet për Çenakullin. Ndokush përvijon mundësinë e kthimit të Sallës së Çenakullit në duart e Rojtarisë së Tokës Shenjte. Ç’mendoni ju?
Ne do ta prisnim me gëzim të madh. Në të vërtetë, kjo çështje ka ndezur shumë diskutime si në botën islamike, ashtu edhe në atë hebraike. Në realitet, nuk është fjala për kthimin e [Çenakullit], por për përdorimin e tij liturgjik, jo më shumë. Edhe kështu, ka mjaft polemika, të cilat janë të parashikueshme, prandaj urojmë që pas vizitës së Papës, të qetësohen disi e të kalojnë në nivelin normal. Debati vazhdon akoma. Është një vend tepër i rëndësishëm, për të cilin konkurojnë të tria fetë monoteiste, por është edhe rasti që këto fe të diskutojnë për çështje konkrete ndërmjet tyre e jo për parime abstrakte.







All the contents on this site are copyrighted ©.