2014-05-19 17:01:43

Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë: “Pushteti i Marisë”. par. 39, 40


“Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë”, shkruar nga Shën Luigji Maria Grignion de Monfort, të cilin e zgjodhëm si prijës të meditimeve për majin e Zojës, shfleton sot për ne paragrafët 39, 40, nga kapitulli “Pushteti i Marisë”. Tingëllon si përgjigje për pyetjet, që i bën vetes çdo besimtar, kur një forcë misterioze e shtyn të gjunjëzohet para Marisë, ta falënderojë në fitore, t’i kërkojë ndihmë në disfata. Pse njerëzit kanë nevojë të domosdoshme për Marinë? Pse u morën aq shumë me të dijetarët e Kishës? E jo më pak edhe heretikët? Sepse, përgjigjet autori i shenjtë i Traktatit…”, është ajo, që na ndihmon në rreziqe të kësaj jete. Ajo, që na shtrin dorën në të vështira. Ajo, që na jep zemër, në shekujt pa shpirt e pa zemër. Ajo, që e mbron të drejtin e shtypur nën thundrën e hekurt të të padrejtit!RealAudioMP3


39. Përfundimi i dytë: Virgjëra Shenjte është e nevojshme për Hyjin; ai ka për të një nevojë, që quhet hipotetike, domethënë sepse kështu e deshi Ai vetë; por është shumë më e nevojshme për njerëzit, për t’u kapur në cakun e tyre të mbramë. Prej këndej, nuk mund të vihet në të njëjtin plan devocioni ndaj Virgjërës së Shenjtë e devocioni, që kemi ndaj shenjtorëve të tjerë, sikur ajo të mos ishte më e nevojshme se ata, ose si të ishte vetëm pakëz më shumë se ata.
40. Suarezi i kënduar e i përshpirtshëm i Shoqërisë së Jezusit, i dituri e i devoçmi Giusto Lipsio, profesor në Luvën, e shumë e shumë të tjerë, treguan qartë se devocioni ndaj Virgjërës Mari është më se i nevojshëm për shëlbim; sollën prova bindëse nga Etërit e Kishës, si Shën Agostini, Shën Efremi, diakoni i Odesës, Shën Çirili i Jeruzalemit, Shën Bernardi, Shën Bernardini, Shën Toma e Shën Bonaventura. Kështu, sipas vetë Ekolampadios1 e disa të tjerëve, ndryshe nga heretikët. Të mos kesh nderim e dashuri për Virgjërën e Shenjtë, është shenjë e pagabueshme mosbesimi, ndërsa e kundërta, provë e sigurt e vërtetësisë së fesë.

1 Jo(h)annes Oecolampadius (Weinsberg, 1482 - Basilea, 24 nëntor 1531), teolog, humanist e reformator zviceran.







All the contents on this site are copyrighted ©.