2014-05-19 17:14:26

Papa: si është zemra jonë, e ngulur në Shpirtin Shenjt, apo e luhatur?


I krishteri duhet të ketë zemër të ngulur në Shpirtin Shenjt, jo zemër që luhatet sa andej-këndej. Këtë nënvizoi Papa Françesku gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Papa e përqendroi homelinë mbi figurën e Shën Palit që, theksoi, qe i aftë të ungjillëzojë pa pushim, sepse zemra e tij merrte forcë nëpër Shpirtin Shenjt, e bëhej gjithnjë më e vendosur.RealAudioMP3

Po zemra jonë, si është? Papa Françesku e shtjelloi homelinë, duke u bazuar mbi binomin “lëvizje-vendosmëri” në zemrën e të krishterëve. E mori shtytjen nga Leximi i Parë, shkëputur nga Veprat e Apostujve, ku mund të admirojmë impenjimin ungjillëzues të Shën Palit, që e kishte zemrën të vendosur, por në lëvizje të vazhdueshme. Apostulli i Popujve vinte nga Ikonio, ku kishin dashur ta vrisnin, e megjithatë, nuk ankohet për këtë. Shkon përpara për të ungjillëzuar në zonën e Likaonies, e, në emër të Jezusit, shëron një njeri të gjymtë. E ndodh kështu, që paganët, duke e parë këtë mrekulli, mendojnë se Pali e Barnaba, që e shoqëron, janë hyjni, zbritur mbi tokë. Madje arrijnë deri atje, sa të besojnë se ishin Zeusi e Hermesi. Palit iu desh të lodhej shumë për t’i bindur se ata nuk ishin hyjni, por njerëz të zakonshëm. Këto, vijoi Papa, ishin ngjarjet njerëzore, që jetonte Shën Pali:
“E edhe ne kemi shumë, të gjithë ne; jetojmë mes ngjarjesh, që na bëjnë të lëvizim nga një anë, në tjetrën. Por zemrën duhet ta kemi të vendosur, të ngulur, si e kishte Pali: ai, që të mos ankohej nga ky persekutim, shkoi të kërkonte një qytet tjetër, për të predikuar aty, për të shëruar një të sëmurë; për të kuptuar se ky njeri kishte fe të mjaftueshme, që të shërohej; pastaj, të fashiste dalldinë e këtyre njerëzve, që donin të flijonin për nder të tij; e pastaj, të shpallte se ka një Zot të vetëm, duke folur me gjuhën e tyre kulturore. Ngjarje pas ngarjesh… E kjo vjen vetëm nga një zemër e vendosur”.
Ku e kishte zemrën Pali? - pyeti Papa - për t’i bërë gjithë këto ndryshime, në një kohë tepër të shkurtër, e për t’i përballuar situatat në mënyrë të përshtatshme? Në Ungjill, sqaroi, Jezusi na thotë se Shpirti Shenjt, i dërguar nga Ati, do të na mësojë çdo gjë e do të na kujtojë gjithçka, që ka thënë Zoti. Prandaj zemra e Shën Palit është e ngulur në Shpirtin Shenjt, në këtë dhuratë, që na e dërgoi Jezusi. E ne të gjithë, vërejti, nëse duam të jemi të vendosur në jetën tonë, duhet të shkojmë tek Ai. Ai është në zemrën tonë, e morëm në Pagëzim. Shpirti Shenjt, pohoi, na jep forcë, na jep vendosmëri për të ecur përpara në jetë, duke u bërë ballë të gjitha ngjarjeve, që dynden mbi ne, njëra pas tjetrës. E Jezusi na thotë dy gjëra për Shpirtin Shenjt, të dërguar nga Ati: “Do t’ju mësojë çdo gjë e do t’ju kujtojë të gjitha gjërat që kam thënë”. E pikërisht kjo ndodh me Shën Palin: i mëson e i kujton mesazhin e shëlbimit. Është Shpirti Shenjt ai, që i jep forcë zemrës së tij:
Me këtë shembull, mund të pyesim, sot: si është zemra ime? Është zemër që spërdridhet si valltare, që luhatet nga një anë në tjetrën e që duket si të ishte flutur, gjë që sot u pëlqen njerëzve... është zemër gjithnjë në lëvizje? Zemër që trembet nga dallgët e jetës e fshihet e ka frikë ta dëshmojë Jezu Krishtin? Është zemër guximtare, apo zemër që dridhet nga frika e përpiqet gjithnjë të gjejë ndonjë skutë, ku të fshihet? Ç’ kujdese ka zemra jonë? Pas ç’ thesari kapet fort? Është zemër e ngulur në krijesat, në problemet, që nuk i mungojnë askujt? Është zemër e ngulur në zotat e përditshëm, apo e ngulur në Shpirtin Shenjt”.
Papa pohoi se do të ishte mirë ta pyesim veten: “Ku është ngulur zemra jonë?”. E edhe t’i kujtojmë ngjarjet, që jetojmë ditë për ditë: në shtëpi, në punë, me fëmijët, me njerëzit pas portës kundruall, me shokët e punës, me të gjithë:“Unë luhatem nga njëra anë tek tjetra, apo i jetoj këto ngjarje me zemrën e ngulur, që e di se ku është? I vetmi që i jep forcë zemrës sonë, është Shpirti Shenjt. Na bën mirë të mendojmë se kemi një dhuratë të bukur, të cilën na e la Jezusi, Shpirtin e forcës, të këshillës. Ai na ndihmon të shkojmë përpara ndërmjet ngjarjeve të përditshme. Ta bëjmë këtë ushtrim, sot, ta pyesim veten si është zemra jonë; e vendosur, apo jo? E nëse është e ngulur, ku shkon e ndalet? Në gjërat e Shpirtit Shenjt? Do të na bëjë mirë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.