Serbia e Bosnja përfshihen nga përmbytjet më shkatërruese të 120 vjetëve të fundit.
Qytete të tëra, nën ujë: rrugë, shtëpi e makina, mbuluar me baltë, rrëshqitje dheu
kudo e njerëz në ikje. Duken pamje nga një film katastrofik, por, fatkeqësisht, është
realiteti i dy vendeve ballkanike të shpërfytyruara nga koha e keqe e dalja e lumenjve.
Mëse 40, viktimat e rreth 37 mijë, të shpërngulurit, ndërsa arrijnë ndihmat e para
nga vendet fqinjë. Vetë Serbia e Bosnjë-Hercegovina kanë vënë në veprim jo vetëm ndihmën
e shpejtë, por edhe ushtrinë e vullnetarët, ardhur nga i gjithë Ballkani. Edhe Eulex-i,
misioni evropian në Kosovë, ka dërguar një helikopter, shuma të hollash dhe pajisje
teknike. Shqetëson lumi Sava, i cili pritet të dalë nga një çast në tjetrin. Kryeministri
serb, Vuçiç ka dhënë alarmin për mundësinë e përhapjes së sëmundjeve, nga kafshët
e shumta që janë mbytur, si edhe për shtimin e numrit të viktimave, që do të dalin
në pah sapo të tërhiqen ujrat. Është vendosur të mos jepen shifra të reja, për të
mos krijuar panik në popullsi. Ndërkaq, numërohen të shpërngulurit: mëse 22 mijë në
Serbi, mëse 15 mijë në Bosnjë-Hercogovinë. Alarm edhe për centralet termike dhe elektrike.
Gjendja më e vështirë verifikohet në Sremska Mitrovica, Sabac e Obrenovac. Në këtë
të fundit, një shenjë shprese: një nënë lindi në mes të përmbytjeve, e ndihmuar nga
personeli ushtarak. Emri i fëmijës? Ljubomir, “Paqedashës”.