2014-05-18 16:20:19

Papa, në takimin me meshtarët e seminaristët: Populli i Zotit nuk i fal meshtarët-afaristë dhe meshtarët-princë


Nga veprimtaria e Papës Françesku, javën e kaluar, po zgjedhim një pjesë nga takimi i gjatë, 360 gradësh, me studentët e Kolegjeve Papnore dhe të Konvikteve të Romës. Të hënën, pa tekst të përgatitur, Ati i Shenjtë foli me meshtarë e seminaristë, me zemër në dorë, lirisht, siç bën një atë me bijtë e vet. Veçuam fjalët e tij mbi meshtarinë, ndërsa komentonte shën Augustinin, për të denoncuar dy mëkate të barinjve të Kishës: meshtarin-afarist e meshtarin-princ, që mendon se është më i mirë se grigja. Populli i Zotit, tha Papa, të fal për shumë gjëra:
“Por nuk të fal, nëse je bari i lidhur pas parasë, pas kotësive, nëse nuk i trajton mirë njerëzit. Paratë, mendjemadhësia dhe kotësia: tri shkallët, që na sjellin të gjitha mëkatet. Populli i Zotit i kupton dobësitë tona dhe na fal; por këto të dyja nuk i fal. Meshtarit nuk ia fal rendjen pas parasë e nuk ia fal as kur nuk trajton mirë njerëzit”.
Papa Françesku u tha seminaristëve se për të ndjekur Bariun e Mirë, Krishtin, duhet së pari, të luten. Pastaj, është themelore aftësia për t’u takuar, për t’i dëgjuar e për t’i ndjerë njerëzit, aftësia për ta kërkuar rrugën bashkë me ta. E nuk mungoi të verë theksin në miqësinë ndërmjet meshtarëve, thesar për t’u kultivuar:
“Po sa e bukur është miqësia meshtarake, kur priftërinjtë, si dy vëllezër, tre-katër vëllezër, njihen, flasin për problemet e tyre, për gëzimet, për ëndërrat… Miqësinë meshtarake. Kërkojeni, është e rëndësishme. Besoj se ajo është ndihmë e mjaftueshme për ta jetuar meshtarinë, përshpirtërinë, jetën apostolike, atë komunitare dhe intelektuale: miqësia meshtarake”.







All the contents on this site are copyrighted ©.