2014-05-18 16:21:35

E diela V e Pashkëve


Jezu Krishti i ringjallur shfaqet si Rruga e Vërteta dhe Jeta
RealAudioMP3

Figura e Jezusit bën për vete shumë njerëz edhe sot e kësaj dite, veçanërisht të rinjtë, të cilët i tërheq njerëzia e Krishtit, dashuria e tij për të varfrit, koherenca e tij, qëndrimet që mban. Nganjëherë rrezikohet të vështrohet Krishti vetëm në perspektivën njerëzore, duke mos e pranuar hyjninë e tij ose duke mos e marrë në konsideratë.

Një mesazh revolucionar

Një i ri shkruan: “Para dymijë vjetësh ka ardhur një njeri, i cili vijon t’i tërheqë të tjerët me mesazhin e tij revolucionar. Ndryshe nga të gjithë njerëzit e tjerë të mëdhenj – Buda, Konfuci, Muhameti, Françesku, Gandi, Marksi, M.L. Kingu – nuk ka thënë: ‘Jam profet, teoricien, reformator’, edhe pse ishte i tillë, por thjesht: ‘Unë jam udha, e vërteta, jeta’. Krishti mund të pohojë se është ai vetë udha për tek Ati, sepse ‘është e vërteta, shëmbëllimi i Atit në botë dhe, njëherësh, jeta e atij që beson në të. Sepse Ati është burimi zanafillor i jetës, me të cilën jeton edhe Biri; i forcës, që ai u jep besimtarëve” (H. Van den Bussche). Zbulimi, “njohja”, që na vjen nga faqja ungjillore e kësa të diele, është zhvillimi i një teme, e cila gjendet që në fillim të Ungjillit sipas Gjonit: “Hyjin askush nuk e ka parë, i njëlinduri, që është në gjirin e Atit, ai e ka zbuluar” (Gjn 1,18): Fjala e Hyjit e bërë njeri zbulon, përmes fjalëve dhe veprave, bashkësinë e jetës me Atin. Dhe feja në të, në Zbuluesin, na hap rrugën për tek burimi i së vërtetës dhe i jetës. Aspektet e një realiteti të vetëm ndërveprojnë me njëri-tjetrin. Jeta, në të vërtetë, është “të njohësh Atin”, domethënë të jesh i bashkuar me të në dashuri dhe të besosh në atë që ai ka dërguar. Ky mësim jete dhe feje ishte i domosdoshëm dhe i përshtatshëm për Kishën e hershme. Është i domosdoshëm dhe i përshtatshëm edhe për Kishën e sotme. Në çdo kohë Kisha është e thirrur ta vazhdojë veprën e Krishtit dhe të tregojë udhët për të shkuar tek Ati, për të qenë ajo shenjë që përçon të vërtetën dhe jetën, përmes përjetimeve të përditshme, Fjalës dhe sakramenteve.

Një bashkësi, që vijon misionin e Krishtit...

Kushti kryesor, për të vijuar misionin e Krishtit, është të lidhemi fort me të, si gurë të gjallë (leximi i dytë), dhe të “kryejmë veprat e tij” (Ungjilli i sotëm). Këtë bindje na e forcon edhe jeta e katekeza e bashkësisë së hershme të krishterë, siç na e paraqesin leximi i parë dhe i dytë. Në sfondin e zgjedhjes së shtatë diakonëve ravijëzohet një farë përplasjeje ndërmjet të krishterëve, që u përkisnin dy grupeve të ndryshme për nga mendësia, gjuha, traditat dhe kultura. Vihet re prania e forcave dhe prirjeve të ndryshme, që kishin filluar të shfaqeshin që herët në gjirin e Kishës zanafillore. Zgjidhja e këtij tensioni bëhet e mundur duke kërkuar rrugën e baraspeshave dhe të riorganizimit të Kishës, për t’u shërbyer vëllezërve me më shumë dobi: bashkësia, duke u rritur falë shumimit të numrit të nxënësve, fillon edhe t’i dallojë shërbesat e ndryshme brenda saj, nën udhëheqjen e Shpirtit të Shenjtë. Të gjithë janë gurë të gjallë, për ngritjen e të njëjtës ndërtesë shpirtërore.

... duke realizuar meshtarinë vetjake

Me kremtimin e përkujtimit të vdekjes dhe ringjalljes së Zotit, bashkësia e krishterë përftohet gjithnjë e më shumë si ndërtesë shpirtërore, e fortë dhe e bashkuar, e ndërtuar me gurë të gjallë përreth Krishtit, që është guri i këndit. Ai është i pranishëm mes të vetëve si rruga, e vërteta dhe jeta: udha që na çon tek Ati, duke na bashkuar me flinë e vet, kushtuar për dashuri ndaj Atit dhe ndaj vëllezërve; e vërteta që bëhet e njohur dhe depërton gjithnjë e më thellë në zemrat tona nëpërmjet fjalës së shpallur dhe të dëgjuar me fe; jetë e dhuruar me anë të pjesëmarrjes në tryezën eukaristike. Të kremtosh eukaristinë, atëherë, do të thotë të hysh me të vërtetë – nëpër Krishtin e me Krishtin dhe në Krishtin – në bashkësinë e jetës me Atin; të qëndrosh në Atin, si Jezusi.
E lidhur fort në këtë bashkësi, asambleja liturgjike paraqitet në të njëjtën kohë si një bashkësi e nyjëtuar dhe e strukturuar me larminë e funksioneve dhe të shërbesave: jo vetëm shërbesa e udhëheqjes, por edhe ajo e lexuesve, e komentuesve dhe e ministrantëve, shërbesa e mikpritjes dhe e dashurisë, shërbesa e këngëtarëve... Të gjitha janë shërbesa të vërteta liturgjike, në shërbim të pjesëmarrjes së plotë dhe aktive të të gjithë popullit të Hyjit në misterin e Krishtit.
Në të vërtetë, “veprimet liturgjike nuk janë veprime private, por kremtime të Kishës, e cila është ‘sakramenti i bashkimit’...; anëtarët e veçantë përfshihen në mënyra të ndryshme, sipas ndryshimit të gjendjes, të shërbesave dhe të pjesëmarrjes aktuale” (SC 26). Me vërtetësi të plotë, pra, e tërë asambleja dhe çdonjëri brenda saj, mund të bashkohet me lutjen e atij që e udhëheq kremtimin: “Po të kushtojmë... po të falënderojmë që na lejon të qëndrojmë pranë teje e të shërbejmë ty”.

Krishti është drita
(Prej “Fjalimeve” të Shën Maksimit nga Torino, ipeshkëv)

Ringjallja e Krishtit e shpërthen ferrin. Anëtarët e rinj të Kishës e përtërijnë tokën. Shpirti i Shenjtë i hap qiejt. Ferri, tashmë i shpërthyer, i nxjerr përjashta të vdekurit. Toka e ripërtërirë lulëzon edhe një herë me të ringjallurit e saj. Qielli i shkyçur pret pranon ata, që ngjiten lart. Ndërsa trupat e shenjtorëve hedhin hapat në qytetin e shenjtë, edhe keqbërësi hyn në parajsë. Të vdekurit kthehen ndër të gjallë; të gjitha elementet, falë ringjalljes së Krishtit, lartohen me një dinjitet më të madh.
Ferri ia kthen parajsës njerëzit që i kishte ndryrë si të burgosur. Toka ia kthen qiellit ata që i kishte fshehur në përmbrendcat e veta. Qielli ia paraqet Zotit të gjithë njerëzit që bun. Falë mundimeve të vetme e të mirëfillta të Zotit, shpirti ringrihet nga humnera, lirohet nga toka e zë vend në qiell.
Ringjallja e Krishtit, në fakt, është jetë për të vdekurit, falje për mëkatarët, lavdi për shenjtërit. Për këtë arsye Davidi e fton çdo krijesë të ngazëllehet për ringjalljen e Krishtit, duke u bërë thirrje të gjithëve të galdojnë fort në ditën e Zotit.
Drita e Krishtit është ditë pa natë, ditë që nuk njeh perëndim. Apostulli na thotë se kjo ditë është Krishti: “Nata ka përparuar, dita është afër” – shkruan (Rm 13,12). Thotë: “ka përparuar”; nuk thotë se ende duhet të vijë, në mënyrë që të kuptosh se kur të të ndriçojë Krishti me dritën e vet, duhet të largosh prej teje terrin e djallit, duhet ta këpusësh vargoin e errët të mëkatit, duhet ta shpërndash, me këtë dritë, mjegullën e dikurshme dhe t’ua zësh frymën ngacmimeve të liga.
Kjo ditë është vetë Biri, mbi të cilin Ati, që është dita pa fillim, bën të shkëlqejë dielli i hyjnisë së tij. Madje, mund të them se ai vetë është kjo ditë, që ka folur me anë të Salomonit: “Unë ndeza në qiell një dritë që nuk shuhet (Sir 24,6). Sikurse pas ditës së qiellit unk vijon nata, poashtu errësira e mëkatit nuk mund të vijë pas drejtësisë së Krishtit. Dita e qiellit, në të vërtetë, shkëlqen në amshim, drita e tij lëbyrëse nuk mund të përpihet nga asnjë errësirë. E njëjta gjë duhet thënë edhe për Krishtin, që shkëlqen gjithmonë me vezullimin rrezatues, pa u penguar nga asnjë lloj mjegulle. Me të drejtë ungjilltari Gjon thotë: drita shndrit në errësirë dhe errësira nuk e ka mundur (khs. Gjn 1,15).
Prandaj, vëllezër, të gjithë duhet të ngazëllejmë në këtë ditë të shenjtë. Askush nuk duhet të largohet nga hareja e përbashkët, për shkak të mëkateve që ende i rëndojnë mbi ndërgjegje. Askush të mos rrijë pa marrë pjesë në lutjet e përbashkëta, për shkak të mëkateve të rënda që ende e ndrydhin. Edhe pse mëkatarë, në këtë ditë askush nuk duhet të heqë dorë nga shpresa për falje. Në të vërtetë e kemi një provë, jo të vogël: nëse hajduti hyri në parajsë, pse nuk duhet ta marrë faljen edhe i krishteri?

Shën Agostini, Komenti i Ungjillit sipas Gjonit

Jezusi iu përgjigj Filipit: Unë jam rruga, e vërteta dhe jeta (Gjn 14,6). Çfarë do të thotë kjo, vëllezër? E kemi dëgjuar pyetjen e nxënësit, kemi dëgjuar edhe përgjigjen e mësuesit, por ende nuk kemi kuptuar përmbajtjten e përgjigjes, as pasi kemi dëgjuar tingullin e zërit. Por çfarë mund të kuptojmë? Mos vallë apostujt, me të cilët rrinte, mund t’i thoshin: ne nuk të njohim? Ndërkohë, nëse e njihnin, meqë ai është rruga, e njihnin rrugën; nëse e njihnin, duke qenë se ai është e vërteta, njihnin të vërtetën; nëse e njihnin, duke qenë se ai është jeta, njihnin jetën. Ja që u mbushet mendja se e njohin atë që nuk besonin se e njihnin.
Çfarë është ajo që nuk kemi kuptuar në këtë fjalim? Çfarë tjetër, vëllezër, përveç fjalëve: E ju e dini ku po shkoj e dhe rrugën për të shkuar atje? E kemi marrë vesh se ata e njihnin rrugën, sepse njihnin atë, që është rruga. Por rruga shërben për të ecur; mos vallë është edhe vendi ku duhet shkuar? Ai kishte thënë se ata i njihnin të dyja gjërat: edhe vendin ku po shkonte, edhe rrugën. Ishte e domosdoshme, pra, të thoshte: Unë jam rruga, për të treguar se ata, duke e njohur atë, njihnin rrugën që mendonin se nuk e njihnin; por ishte po aq e nevojshme të thoshte: Unë jam rruga, e vërteta dhe jeta, sepse, pasi të njihej rruga, mbetej për t’u njohur pikësynimi. Rruga çon tek e vërteta, çon tek jeta. Ai, pra, shkonte tek vetja përmes vetes. Po ne, ku shkojmë, përveçse tek ai? Nëpër cilën rrugë shkojmë, nëse jo nëpërmjet tij? Ai shkon tek vetja, nëpërmjet vetvetes; ne shkojmë tek ai, përmes tij; ose, më mirë, shkojmë tek Ati, si ai, si ne.
Në të vërtetë, në një vend tjetër, duke folur për veten, ai thotë: Po shkoj tek (Gjn 16,10): ndërsa këtu, për ne, thotë: Askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje (Gjn 14,6). Ai, pra, shkon, nëpërmjet vetvetes, tek vetvetja dhe tek Ati; ne, nëpërmjet tij, shkojmë tek ai dhe tek Ati. Kush mund ta kuptojë këtë, përveç atij që ka inteligjencën shpirtërore? Edhe ai që ka inteligjencën shpirtërore, deri në çfarë pike mund të kuptojë? Pse, o vëllezër, më kërkoni t’jua shpjegoj këto gjëra? Merreni me mend sa të larta janë. Ju e shihni kush jam unë dhe unë e shoh kush jeni ju: tek të gjithë ne, trupi i shkatërrueshëm e rëndon shpirtin dhe banesa tokësore e ligështon mendjen e zënë me shumë mendime (khs. Urt 9,15). A mendoni se mund të themi: E lartësova shpirtin tim tek ti, që banon në qiell (Ps 122,1)? Por, të shtypur nga një peshë e tillë, që na bën të psherëtijmë, si do të mund ta lartësoj shpirtin tim, nëse nuk e lartëson me mua ai, që ma kushtoi shpirtin e vet? Do të them ç'të mundem dhe të kuptojë kush të mundet. Ai që më ndihmon mua të flas, do t’ju ndihmojë edhe juve të kuptoni e do t'i ndihmojë edhe ata, të cilët nuk mund të kuptojnë, që të paktën të besojnë. Nëse nuk do të kuptoni – thotë në fakt profeti – nuk do të kuptoni (Is 7,9).








All the contents on this site are copyrighted ©.