2014-05-16 16:35:44

Sinodi kushtuar familjes: shqyrtohet boca Instrumentun laboris


Këshilli i zakonshëm i Sinodit të Ipeshkvijve u mblodh më 13 e 14 majin e kaluar, për të analizuar bocën, apo projekt planin e parë, të Asamblesë III të përgjithshme të jashtëzakonshme, që do të mbahet në Vatikan më 5 deri më 19 tetor, me temë: “Sfidat baritore për familjen, në kontekstin e ungjillëzimit!”. Në hapjen e punimeve, Këshilli u kryesua nga Papa Françesku. Kardinali Lorenco Baldiseri, sekretar i përgjithshëm, duke i uruar mirëseardhjen Atit të Shenjtë, i shprehu dhe mirënjohjen për Letrën e tij të 1 prillit të kaluar, me të cilën ngrihej në dinjitetin e ipeshkvit zëvendës-sekretari, imzot Fabio Fabene, për të fuqizuar më tej kolegjialitetin, si pjesë përbërëse për Sinodin e Ipeshkvijve.
Boca e Instrumentum laboris, njofton një komunikatë, u shqyrtua hollësisht, duke shtuar propozimet me vlerë, që dolën gjatë diskutimeve. U paraqit edhe metodologjia e re sinodale, që do të ndiqet gjatë zhvillimit të Asamblesë së përgjithshme të jashtëzakonshme.
Në punimet dyditore, përveç anëtarëve të Këshillit të zakonshëm, ndërmjet të cilëve referuesi i përgjithshëm, kardinali Péter Erdë dhe sekretari i posaçëm, imzot Bruno Forte, ishin të pranishëm kardinajtë André Vënt-Trua, kryeipeshkëv i Parisit dhe Raimondo Damashen Asis, kryeipeshkëv i Aparesidës dhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Brazilit, të ftuar për të marrë pjesë, si kryetarë delegatë, së bashku me kardinalin Luis Antonio G. Tagle, në Asamblenë të përgjithshme të jashtëzakonshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.