2014-05-16 14:52:59

Papa: për ta njohur Jezusin duhet ta lutësh, ta kremtosh e ta imitosh, nuk mjaftojnë studimet e idetë


Për ta njohur Jezusin, nuk mjafton studimi, nuk mjaftojnë idetë, por duhet t’i lutemi me zemër, duhet ta kremtojmë, duhet t’i përngjasim. Kështu u shpreh Papa gjatë Meshës, kremtuar sot në Shtëpinë e Shën Martës. Françesku i ftoi përsëri të gjithë ta lexojnë Ungjillin i cili, nga një herë, kujtoi, mbulohet nga pluhuri në skuta, nga që nuk hapet kurrë. RealAudioMP3

Duke komentuar pohimin e Jezusit: “Unë jam udha, e vërteta, jeta”, Papa vërejti se njohja e Jezusit është puna më e rëndësishme në jetën tonë. Por, pyeti më pas, si mund ta njohim Jezusin? Ndokush mund të thotë: “Duke studiuar, atë. Duhet studiuar shumë!". Kjo është e vërtetë. Duhet ta studiojmë katekizmin, është e vërtetë. Por vetëm studimi nuk mjafton për ta njohur Jezusin. Disa, vijoi të shpjegojë, kujtojnë se Jezusin mund ta njohim vetëm me ide, se vetëm idetë mund të na çojnë në njohjen e Jezusit. Edhe ndërmjet të krishterëve të parë, disa mendonin kështu. E në fund mbeteshin të kapërthyer në mendimet e veta:
“Vetëm idetë nuk japin jetë e kush ecën vetëm nëpër rrugën e ideve, përfundon në një labirint e nuk del kurrë më! E prandaj, që në zanafillë të Kishës, u dukën herezitë. Herezitë s’janë tjetër, veçse përpjekja për ta kuptuar vetëm me mendjen tonë e me dritën tonë të arsyes, kush është Jezusi. Një shkrimtar i madh anglez thoshte se herezia është ide e çmendur. E kështu edhe është. Idetë, kur mbeten vetëm, çmenden. Kjo është rruga”.
Për ta njohur Jezusin, pohoi Papa, duhen hapur tri porta:
“Porta e parë: t’i lutemi Jezusit. E dini se studimi, pa lutjen, nuk duhet gjë. T’i lutemi Jezusit, për ta njohur më mirë. Teologët e mëdhenj e bëjnë teologjinë në gjunjë. T’ i lutemi Jezusit! E sa me studim, aq me lutje, t’i afrohemi sadopak… Por pa lutjen nuk mund ta njohim kurrë Jezusin. Kurrë! Kurrë! Porta e dytë: ta kremtojmë Jezusin. Nuk mjafton lutja, është i nevojshëm gëzimi i kremtimit. Ta kremtojmë Jezusin në sakramentet e veta, sepse aty na jep jetë, na jep forcë, na jep ushqim, na jep ngushëllim, na jep besë, na jep mision. Pa kremtimin e sakramenteve, nuk arrijmë ta njohim Jezusin. E kjo i takon vetëm Kishës: kremtimi. Porta e tretë: t’i përngjajmë Jezusit. Ta marrim në dorë Ungjillin e të pyesim veten: ç’bëri Ai? Si e kaloi jetën? Çka na tha, çka na mësoi? E pastaj të përpiqemi për t’i ngjarë”.
Të hyjmë përmes këtyre tri portave, tha Papa, do të thotë të hysh në misterin e Jezusit. E vetëm po të jemi të aftë të hyjmë në misterin e tij, mund ta njohim Jezusin. Kjo do të thotë të lutesh, të kremtosh e të imitosh. E kështu do të gjejmë udhën, për të shkuar drejt së vërtetës e jetës:
“Mundemi sot, gjatë ditës, të pyesim për portën e lutjes në jetën tonë; për lutjen që del nga zemra, jo atë të papagalit! Ajo e zemrës, si shkon? Si shkon kremtimi i krishterë në jetën time? Si duhet t’i përngjaj? Vërtet nuk kujtohesh? Sepse libri i Ungjillit është plot me pluhur, meqë nuk hapet kurrë! Merre librin e Ungjillit, hape e do të të tregojë si mund t’i ngjash Jezusit! Të mendojmë për këto tri porta, si janë në jetën tonë, e do të na bëjë mirë!”.










All the contents on this site are copyrighted ©.