2014-05-15 14:15:15

Tregtia e armëve dhe emigracionet e detyruara vënë në rrezik paqen: kështu Papa për një grup ambasadorësh


Papa priti sot në Vatikan ambasadorët e Zvicrës, të Liberisë, të Etiopisë, të Sudanit, të Xhamajkës, të Afrikës së Jugut dhe të Indisë, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale. Duke folur për paqen, udhë dhe synim i të gjitha veprimtarive njerëzore, përfshirë marrëdhëniet diplomatike, Ati i Shenjtë u ndal në dy aspekte: në tregtinë e armëve dhe në emigracionet e detyruara. Të gjithë flasin për paqen, theksoi, të gjithë deklarojnë se e duan, por, fatkeqësisht, përhapja e armatimeve të çdo lloji çon në kahen e kundërt:RealAudioMP3
“Tregtia e armëve ndikon në ndërlikimin dhe në largimin e zgjidhjes së konflikteve, edhe sepse ajo zhvillohet dhe kryhet kryesisht në mënyrë të paligjshme. Prandaj, ndërsa jemi të mbledhur në këtë Seli Apostolike, që për natyrën e saj i shërben veçanërisht çështjes së paqes, mund t’i bashkojmë zërat për të uruar që bashkësia ndërkombëtare të fillojë një sezon të ri impenjimi të përqendruar e të guximshëm kundër shtimit të armatimeve”.
Më pas, Papa vuri në dukje sfidën e emigracionit të detyruar. Fenomen tepër i ndërlikuar, nënvizoi, duke kërkuar impenjimin e të gjithëve, që emigracioni të mos shihet gjithnjë vetëm në këndvështrimin e emergjencës. Ndërmjet emigrantëve hasim në përvoja diametralisht të kundërta, tha Papa:
“Nga njëra anë, histori të mrekullueshme humaniteti, takimi, mikpritejeje; njerëz e familje, që arrijnë të dalin nga realitete çnjerëzore dhe gjejnë dinjitetin, lirinë, sigurinë. Nga ana tjetër, fatkeqësisht, histori që na bëjnë të vajtojmë e të turpërohemi: qënie njerëzore, vëllezërit e motrat tona, bijtë e Zotit, që, të shtyrë nga dëshira për të jetuar e punuar në paqe, përballojnë udhëtime masakruese e pësojnë kërcënime, tortura, shpërdorime të çdo lloji, për të përfunduar me vdekje në shkretëtirë, ose në fund të detit”.
Fenomeni i emigracionit të detyruar, vazhdoi Papa Françesku para shtatë ambasadorëve të rinj, është i lidhur ngushtë me konfliktet e me luftrat, e për rrjedhojë, edhe me problemin e përhapjes së armëve. Janë plagë të kësaj bote, që është e jona, ngriti zërin Ati i Shenjtë. Botë, të cilën Zoti na e ka dhënë për të jetuar me dinjitet, prandaj nuk mund të mos e ndjejmë veten përgjegjës për vëllezërit e motrat tona emigrante:
“Do të ishte një kontradiktë absurde të flasim për paqen, të bëjmë bisedime për paqen e, në të njëjtën kohë, të nxisim ose të lejojmë tregtinë e armëve. …Do të ishte sjellje cinike, …shpallja e të drejtave të njeriut e, njëkohësisht, injorimi dhe moskujdesja për burra e gra, që, të detyruar të largohen nga toka e tyre, vdesin në këtë përpjekje, ose nuk priten me solidaritet ndërkombëtar”.







All the contents on this site are copyrighted ©.