2014-05-15 10:22:56

Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë: “Maria në Kishën shenjte”, par. 32, 33


Sot “Traktati i devocionit të vërtetë për Marinë”, shkruar nga Shën Luigji Maria Grignion de Monfort, në paragrafet 32, 33 të kapitullit “Maria në Kishën shenjte”, tingëllon si ftesë për t’i sjellë sytë kah Maria, për t’i kënduar himne, për t’i kushtuar shpirt e zemër në këtë muaj, në gjunjë para elterit të saj, stolisë me zëmbakë e trëndafilë, të bardhë, si zemra e saj e papërlyer.RealAudioMP3

32. “Si njëri, ashtu edhe tjetri, lindën në të”, thotë Shpirti i Shenjtë. Sipas shpjegimit të disa prej Etërve, njeriu i parë, i lindur nga Maria, është Njeriu-Hyj, Jezu Krishti; i dyti, njeriu i zakonshëm, bir në shpirt i Hyjit e i Marisë. Nëse Jezu Krishti, Kryet e njerëzve, lindi në të, edhe besimtarët e vërtetë, gjymyrë të këtij Kreu, duhet, si pasojë e natyrshme, të lindin në Të. E njëjta nënë nuk e nxjerr në dritë kryet, pa gjymtyrë; as gjymtyrët, pa krye; do të ishte një përbindësh i natyrës. Po kështu, në rendin e hirit, kryet e gjymtyrët lindin nga e njëjta Nënë. Nëse një gjymtyrë e Korpit mistik të Jezu Krishtit do të lindte nga një nënë tjetër, e jo nga Maria, që e nxori në dritë Kryet, nuk do të ishte besimtar i vërtetë, as gjymtyrë e Jezu Krishtit, por një lloj përbindshi në rendin e hirit.
33. Por ka akoma! Duke qenë Jezusi, sot më shumë se kurrë, fryt i Marisë, e duke dëgjuar qiell e tokë kah përsërisin mijëra herë në ditë: “Bekuar qoftë fryti i barkut tënd, Jezus”, është e sigurt se Jezu Krishti, për çdo njeri, posaçërisht për atë që e pushton, por edhe për të tërë në përgjithësi, është fryt i vërtetë e vepër e Marisë. Nëse Jezu Krishti ka marrë trajtë në zemrën e besimtarit, ai mund të thotë i sigurt: “Të falënderoj, Mari: gjithçka kam, është fryti e pasoja jote; pa ty, nuk do ta kisha”. Marisë mund t’i përshtaten edhe më vërtetësisht se Shën Palit, këto fjalë të thëna prej Apostullit: “Bijtë e mi të dashur, që unë ju lind me dhimbje rishtas, deri që Krishti të formohet në ju”. “Unë lind çdo ditë bij të Hyjit, e i përkujdes, derisa në ta të marrë trajtë, në gjithë pjekurinë e tij, Krishti, biri im”. Shën Agostini, duke kapërcyer vetveten e edhe atë, që sapo e thashë, shkruan se të gjithë besimtarët e vërtetë, për t’u përputhur plotësisht me figurën e Zotit, sa janë mbi këtë tokë, fshihen në kraharorin e Virgjërës Shenjte, ku ruhen, ushqehen, ndreqen e rriten nga kjo Nënë e mirë, deri në çastin kur ajo i nxjerr në dritën e lumnisë, pas vdekjes, që është pikërisht dita e tyre e lindjes, siç e quan Kisha vdekjen e të drejtëve. O mister hiri! I panjohur për kë nuk ka fe e pak i njohur deri për besimtarët.







All the contents on this site are copyrighted ©.