2014-05-14 11:50:34

Shpërthen një minierë në Turqi. Mëse 200 viktima


Tragjedi në Turqi. Së paku 205 minatorë kanë vdekur gjatë shpërthimit të djeshëm në një minierë karboni në Manisa. Qindra të tjerë ndodhen akoma nën tokë. Ndihma e shpejtë ka arritur të nxjerrë të gjallë rreth 80 vetë. Shpresat për t’i gjetur të tjerët janë të pakta, pasi ka shumë mundësi që të kenë thithur oksid karboni.
“Kemi humbur 201 vëllezër punëtorë. Mendojmë se numri mund të rritet”: ky qe lajmi i trishtuar, që dha sot në mëngjes Ministri i Energjisë, Taner Yldiz, pas një nate në ankth, gjatë së cilës dhjetra skuadra punuan pa pushim për nxjerrjen e trupave. Flakët e patën zanafillën në thellësinë 2000 metra dhe shkaktuan ndërprerjen e energjisë elektrike, duke bllokuar ashensorin. Operacioni i ndihmës së shpejtë pengohet akoma nga tymi i madh, që del nga miniera. Në çastin e shpëthimit, në minierë ndodheshin 787 punëtorë. Nuk është hera e parë që në Turqi ndodhin episode të tilla. Shpesh, në parlament, janë denoncuar kushtet e këqia të sigurisë, pas privatizimit të minierave në vend.







All the contents on this site are copyrighted ©.