2014-05-14 14:24:48

Përshëndetja e Papës drejtuar banorëve të “tokës së zjarreve”: e drejta e shëndetit vjen para çdo interesi tjetër


Në audiencën e përgjithshme, duke iu drejtuar shtegtarëve italianë, Papa përshëndeti delegacionin e banorëve të atij trualli, që tashmë njihet kudo me emrin “toka e zjarreve dhe e helmeve”, në Kampania. Nënvizoi Ati i Shenjtë në përshëndetje:RealAudioMP3
“Duke u shprehur banorëve afërsinë time, uroj që dinjiteti i njeriut dhe të drejtat për të gëzuar shëndet të plotë, të vihen gjithnjë para çdo interesi tjetër”
Pastaj përshëndeti me përzemërsi besimtarët e Sardenjës, shoqëruar nga barinjtë e tyre e nga autoritetet, për t’i kthyer Atit të Shenjtë vizitën që pati nderin të bëjë vitin e kaluar, në këto troje:
“Të dashur miq, ju falënderoj për praninë tuaj dhe ju inkurajoj t’i përballoni situatat problematike, që trondisin ende Ishullin tuaj të bukur, me shpresë e solidaritet. Ju siguroj se nuk ju kam harruar e se lutem për ju. I kujtoj gjithnjë fjalët që më thatë për problemet e mprehta të Sardenjës. Ju siguroj se më keni përherë pranë!”.
Më pas Papa përshëndeti Bijat e Shën Kamilit, që po kremtojnë Kapitullin e tyre të përgjithshëm, duke i nxitur të jenë shenjë gazmore e dashurisë së Zotit ndërmjet të sëmurëve e të vuajturve.
Një përshëndetje tjetër, në një Shesh plot me grupe e njerëz të veçantë, të cilët Françesku nuk lodhet kurrë duke i përqafuar, duke u shtrënguar duart a duke u thënë një fjalë të mirë:
“Përshëndes pjesëmarrësit në shtegtimin organizuar nga Vepra e Vogël e Shpërblimit në 100-vjetorin lindjes së themeluesit, atë Arturo d’Onofrio; të jeni mjet paqeje e pajtimi në çdo situatë e në çdo mjedis.

Përshëndes Shoqatën Kultura e Solidariteti të Milanos si dhe grupet e Unitalsi-t, ardhur nga zona të ndryshme, e i ftoj të gjithë ta dëgjojnë zërin e Shpirtit Shenjt, duke e bërë veprues në jetë, përmes së mirës”.

“Përshëndes të rinjtë, të sëmurët e të posamartuarit. Virgjëra Mari, që e nderojmë në mënyrë të posaçme këtë muaj të majit, qoftë mësuese e dhimbsur për ju, të dashur të rinj, posaçërisht për ju, studentë të Institutit Setembrini të Romës;
ju ndihmoftë ju, të dashur të sëmurë, në çastet më të vështira të vetmisë e të vuajtjes;
qoftë shembull për ju, të dashur bashkëshortë të rinj, që të jetoni në bashkim e harmoni familjare”.












All the contents on this site are copyrighted ©.