2014-05-14 14:25:01

Kardinali Toran në Aman: qyteti është gati të presë Papën Françesku


Përfundoi sot, vizita triditore e kryetarit të Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kardinalit Zhan-Lui Toran, në Jordani. Prelati mori pjesë në disa takime me Institutin mbretëror të Studimeve Ndërfetare, themeluar nga princi jordanez El Hasan bin Talal. Vizita e kardinalit i paraprin shtegtimit të Papës Françesku në Tokën Shenjte, nga 24 deri më 26 maj. Pikërisht më 24 maj, Ati i Shenjtë do të mbërrijë në Aman. E pyetëm kardinalin Toran si do ta presë Papën, kryeqyteti i Jordanisë:RealAudioMP3
I gjithë qyteti po punon, ka afishe kudo. Fola me disa ipeshkvij: që tani, famullitë janë mobilizuar e atmosfera është shumë mikpritëse. Kudo janë afishuar fotografi të Papës, që i shtrëngon dorën mbretit… Të gjithë po përgatiten ta presin Atin e Shenjtë me dashuri e me hare… Ky është popull shumë mikpritës. E njerëzit që takova më konfirmuan se ka shumë simpati për Papën. Papa është shumë popullor.
Gjatë vizitës në Aman, në veçanti, Papa do të takohet me refugjatët sirianë, që ikin nga lufta. Të hënën, ju morët pjesë në një takim të parë me temë “Fetë dhe dhuna”. Ç’mund të na thoni për të?
Ishim të gjithë dakord me pohimin se feja e dhuna nuk mund të ecin së bashku, por u nënvizua edhe fakti se në të vërtetë, askund nuk ka luftë fesh. Krizat, që shqetësojnë botën, në veçanti Lindjen e Mesme, nuk e kanë zanafillën tek feja. Por feja është një nga përmasat, që mund të sjellë zgjidhjen e problemeve. Sot, nuk mund të kuptohet një botë pa fe. Miqtë tanë myslimanë denoncuan, së bashku me ne, se arsyet e krizës janë injoranca dhe paragjykimet e jo fetë.








All the contents on this site are copyrighted ©.