2014-05-12 12:29:32

Toka e Shenjtë: procesion i Zojës së Karmelit, pas sulmeve kundër të krishterëve


U kremtua, sot pasdite, 11 maj, procesioni tradicional për nder të Zojës së Malit të Karmelit, në atë shteg, që në popull njihet me emrin Taalat al-Adra, e Përpjeta e Zojës. Besimtarë të të gjitha riteve bënë dy kilometra e gjysëm rrugë, nga famullia latine e Haifës, deri në manastirin karmelitan Stella Maris (Ylli i Detit), të prirë nga skuadra e Skautëve, ardhur nga i gjithë vendi. Ecën duke u lutur e duke kënduar himne për nder të Zojës së Bekuar, pas Patriarkut latin të Jeruzalemit, Fuad Tual. Por sivjet, sipas njoftimit të agjencisë Fides, akti publik i devocionit për Marinë pati një ngjyrim të veçantë, për shkak të kërcënimeve që, këto javët e fundme, janë shpeshuar edhe në Galile.RealAudioMP3

“Në fund të prillit, kujton në agjencinë Fides atë Mikhael Abdo Abdo, drejtues kombëtar i Veprave Papnore Misionare në Tokën e Shenjtë dhe organizator i procesionit, pati akte vandalizmi dhe frikësime kundër të krishterëve. Ipeshkvi Giacinto Boulos Marcuzzo mori një letër kërcënuese, nënshkruar nga një rabin i zonës, në të cilën të krishterët quhen ‘idhujtarë’ e ‘të huaj’ dhe urdhërohen të largohen nga vendi deri në ditët e para të majit, nëse nuk duan t’u nënshtrohen masakrave e dhunës.
Sulmet në fund të prillit inkuadrohen në fushatën frikësuese kundër të krishterëve e myslimanëve, që nisi që nga shkurti i vitit 2012 nga ana e fraksioneve ekstremiste të Lëvizjes së kolonëve hebrenj. Ndërmjet tjerash, pohon atë Abdo, në letër, rabini saktëson se protestantët dhe anglikanët mund të mbeten në vend. Shenjë, kjo, që tregon se po vihet në jetë strategjia e përçarjes së të krishterëve e, më në përgjithësi, e arabëve. E njëjta strategji, ndjehet fort në presionet e bëra nga mjediset politike, për ta shtrirë shërbimin ushtarak të detyrueshëm mbi të krishterët arabë, të pranishëm në Izrael.
Faktet e fundit të dhunës e të frikësimit ishin në qendër të vëmendjes në Konferencën e shtypit, mbajtur në fillim të procesionit, me pjesëmarrjen e patriarkut Tual.
Shtegtimi në të “Përpjetën e Marisë”, është sjellje devocionale popullore me rrënjë të thella në jetën e banorëve të Tokës së Shenjtë. Në kohët e Luftës I Botërore, kujton në agjencinë Fides atë Abdo, turqit u patën dhënë Etërve Karmelitanë vetëm tri orë kohë për ta lënë Malin e Karmelit. Ata u detyruan të largohen, duke marrë me vete vetëm ndonjë dokument të arkivit si dhe shtatoren e Zojës Karmë.

Pas luftës, në vitin 1919, u kremtua procesioni i parë, i paraprirë nga vetë shtatorja e Zojës së Karmelit, që u rikthye në manastirin e vet. Ishte festë falënderimi, drejtuar Hyjit, për këtë rikthim. Vitet e fundit në procesion ishin të pranishëm më se 20 mijë vetë, ndërmjet të cilëve, edhe hebrenj e myslimanë. Në të kaluarën, turma e të divoçëmve, që ngjitej me procesion në atë të Përpjetë, qe shumë më e madhe. Po sot numri është pakësuar, për shkak të kufizimeve të lirisë së qarkullimit, gjë që i pengon shumë nga dëshirtarët, sidomos ata të Libanit e të Territoreve Palestineze. Duan, por nuk munden. Kështu detyrohen ta vizitojnë të Përpjetën e Zojës së Karmelit vetëm me lutje, nga larg, në pritje të rikthimit të lirë në ato troje, që i përkasin e duhet t’i përkasin botës mbarë!









All the contents on this site are copyrighted ©.