2014-05-12 16:56:28

Papa: Shpirti Shenjt e shtyn Kishën përtej caqesh


“E kush jemi ne, për t’ia mbyllur portat Shpirtit Shenjt? Këtë pyetje bëri sot Papa Françesku gjatë homelisë në Meshën e mëngjesit, kryesuar në Shtëpinë e Shën Martës, kushtuar kthimit të paganëve të parë në krishterim. Shpirti Shenjt, pohoi, është ai, që e bën Kishën të ecë përtej caqesh, gjithnjë përpara.RealAudioMP3

Shpirti Shenjt fryn ku dëshiron, por një nga tundimet më të zakonshme në zemrën e njeriut, që ka fe, është t’ia presë rrugën e ta sjellë në një drejtim tjetër. Një tundim i tillë nuk ishte i huaj as në agimin e Kishës, siç e tregon përvoja e Simon Pjetrit, në fragmentin e Veprave të Apostujve, që propozon liturgjia e sotme. Një bashkësi paganësh e pranon kumtimin e Ungjillit e Pjetri e shikon me sytë e vet zbritjen e Shpirtit Shenjt mbi të por, para se ta shohë, ngurron të prekë, çka e kishte mbajtur përherë të papastër. E pastaj kritikohet ashpër nga të krishterët e Jeruzalemit, që shkandullohen, kur marrin vesh se kryetari i tyre kishte ngrënë me ‘të parrethprerët’ e madje edhe i kishte pagëzuar. Çast i një krize të brendshme, që Papa Françesku e kujtoi jo pa ironi të hollë:
Është diçka që nuk mund as të mendohej, kjo. Nëse nesër do të arrinte një ekspeditë marcianësh, për shembull, e disa prej tyre do të vinin tek ne, ja, marcianë, apo jo? Të gjelbër, me hundë të gjata e veshë edhe më të gjatë, siç i pikturojnë fëmijët…. E njeri prej tyre do të na thoshte, pa pritur e pa kujtuar: ‘Po, unë dua të pagëzohem!’. Ç’do të ndodhte?”.
Pjetri e kupton gabimin përmes një vegimi, që shndrit për të kuptuar të vërtetën themelore: atë, që e pastroi vetë Hyji, askush nuk mund ta quajë të përlyer. E, duke ia treguar këto fakte turmës, që e kritikon, Apostulli, kujtoi Papa Françesku, i qetëson të gjithë me këtë pohim: “Nëse Hyji u dha atyre të njëjtën dhuratë, që na e dha edhe ne, pse besuam në Jezu Krishtin, e kush isha unë për t’i vënë prita Hyjit?”:
“Kur Zoti na bën ta shohim rrugën, kush jemi ne për të thënë: ‘Jo, o Zot, kjo nuk është e urtë! Po ne bëjmë edhe kështu… Ndaj Pjetri në dioqezën e parë, që ishte Antiokia, merr këtë vendim: ‘Kush jam unë për të krijuar pengesa?’. Një fjalë e bukur për ipeshkvijtë, për meshtarët e edhe për gjithë të krishterët. Po kush qenkemi ne, për t’i mbyllur portat? Në Kishën e lashtë, madje edhe sot, dikush kryente detyrën e portierit. E ç’bënte portieri? Hapte portën, i priste njerëzit, i linte të kalonin. Por nuk ka ekzistuar kurrë detyra e atij, që mbyll portën, kurrë!”.
Edhe sot, përsëriti Papa Françesku, Hyji e ka lënë drejtimin e Kishës në duart e Shpirtit Shenjt. Shpirti Shenjt, vijoi, siç thotë vetë Jezusi, është ai, që do të na mësojë gjithçka e do të na bëjë të kujtojmë çka na mësoi vetë Jezusi:Shpirti Shenjt është prania e gjallë e Hyjit në Kishë. Është ai që e bën Kishën të shkojë përpara, e bën të ecë Kishën. Gjithnjë më përpara, përtej caqesh, më përpara. Shpirti Shenjt me dhuratat e veta i prin Kishës. Nuk mund të kuptohet Kisha e Jezusit pa këtë Ngushëllues, që Zoti na e dërgon pikërisht për këtë. E që hap rrugë të pamendueshme. Pikërisht të pamendueshme. E nëse përdorim një fjalë të Shën Gjonit XXIII: është pikërisht Shpirti Shenjt ai, që e përtërin Kishën; e rinon dhe e bën të ecë gjithnjë përpara. E ne, të krishterët, duhet t’i kërkojmë Zotit hirin e bindjes ndaj Shpirtit Shenjt. T’i kërkojmë nënshtrimin ndaj këtij Shpirti, që na flet në zemër, na flet në rrethana të ndryshme të jetës, na flet në jetën kishtare, në bashkësitë e krishtera, na flet gjithnjë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.