2014-05-12 16:55:05

Papa në takimin me meshtarët e seminaristët: seminari më i keq është më mirë se sa mos të shkosh fare në seminar


Është më mirë të shkosh në seminarin më të keq, se sa të mos shkosh fare në seminar. Askush nuk mund ta përgatisë veten për meshtar. Kështu pohoi sot Papa Françesku, në bisedën e lirë, pa fjalim të përgatitur, me rektorët dhe studentët e Kolegjeve dhe të Konvikteve Papnore. Seminaristëve nga Lindja e Mesme dhe nga Ukraina u tha se ndjehet shpirtërisht pranë tyre, në këtë çast të vështirë vuajtjesh:RealAudioMP3
“Ka shumë vuajtje në Kishë, ka shumë vuajtje… Kisha e vuajtur është edhe Kishë e persekutuar në disa anë të botës, e unë jam pranë jush me lutje”.
Ati i Shenjtë vuri në dukje katër shtylla, mbi të cilat duhet mbështetur formimi meshtarak: formimi shpirtëror, ai akademik, ai komunitar dhe ai apostolik. Sikur vetëm njëra prej këtyre shtyllave të mungojë, nënvizoi Papa Françesku, formimi është i mangët. Duke iu përgjigjur pyetjeve të studentëve, Papa theksoi fort nevojën e jetës në bashkësi:
“Jeta në bashkësi është shumë e rëndësishme, sepse jetohet bashkërisht me vëllezërit, edhe kur ka probleme, ose luftë për pushtet, [është ndarje] idesh, edhe të pashprehura… në seminare ka edhe mëkate të rënda si smira dhe xhelozia, por edhe gjëra shumë të mira si miqësia, shkëmbimi i ideve”.
Papa Françesku nuk e idealizoi jetën në bashkësi, e cila, theksoi nuk është as Parajsë, as Purgator. Sinqeriteti e miqësia janë mjetet, që mund t’i ndihmojnë seminaristët të kapërcejnë problemet. “Nëse një meshtar më thotë se nuk ka pasur kurrë një mik – nënvizoi Ati i Shenjtë – ka diçka që s’shkon”. Më pas, Papa tërhoqi vëmendjen edhe ndaj “rrezikut të akademizmit”, kur një meshtar, i cili e studion Ungjillin thjesht në mënyrë abstrakte, nuk arrin të ndjehet “atë” i grigjës së Krishtit, por vetëm “doktor” apo “profesor”:
“Purizmi akademik nuk bën mirë. Ekziston rreziku i rënies në ideologji e kjo na sëmur, sepse e bën të sëmurë konceptin për Kishën. Kishën, kemi nevojë ta kuptojmë me anë të studimit, por edhe me anë të lutjes e të jetës komunitare e apostolike”.
Duhet ta kuptojmë Kishën, duke e parë me sytë, me zemrën e me mendjen e të krishterit, tha më tej Papa Françesku. Takimi, aftësia për të dëgjuar, për t’i ndjerë të tjerët, aftësia për ta kërkuar së bashku udhën, metoda: kjo është e rëndësishme për Atin e Shenjtë:
“Takim do të thotë të mos kemi frikë nga gjërat. Bariu i mirë nuk duhet të frikësohet, nëse druhet, e di se Zoti do ta ndihmojë. …Mbërritja juaj në Romë… është kohë risish… Përfitoni nga mundësitë e shumta që ju jepen këtu, nga risia e universalitetit, nga njohja e shumë kulturave të ndryshme, nga dialogu ndërmjet jush. Mos kini frikë nga gëzimi i kësaj risie”.







All the contents on this site are copyrighted ©.