2014-05-12 16:56:45

Homelitë e përditshme të Papës në Sallonin e Librit në Torino


Në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino, Selia e Shenjtë paraqiti librin “E vërteta është një takim. Homeli nga Shtëpia e Shën Martës”, i cili përmban informacionin e realizuar nga Radio Vatikani për homelitë e Papës Françesku në meshët e mëngjesit. Për librin u fol në kuadrin e konferencës me titull “Revolucioni i Françeskut në komunikimin global”, në praninë e drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, të filozofit italian Xhovani Reale, të kritikut televiziv Aldo Graso dhe të drejtorit të revistës së jezuitëve “Qytetërimi Katolik”, atë Antonio Spadaro, i cili është kujdesur për botimin e veprës. Para mikrofonit tonë, atë Federiko Lombardi shpjegon stilin komunikativ të Atit të Shenjtë:RealAudioMP3
Libri përmbledh të gjitha homelitë e vitit të parë të papnisë së Françeskut, homelitë nga Shtëpia e Shën Martës, nga ku, Papa i flet Kishës dhe të gjithë atyre, që duan ta dëgjojnë. Në libër përfshihen shërbimet me të cilat Radio Vatikani i paraqet këto homeli, prandaj është mënyra më besnike për t’i rijetuar e ridëgjuar. Natyrisht, reflektimi i paradites së sotme hapi horizontin mbi mënyrën e Papës Françesku për ta rinovuar komunikimin në Kishë e madje edhe në botë, duke filluar nga ky çast i Eukaristisë, zanafillë e çdo dite e përvojë kishtare themelore. U vu në dukje se mënyra e tij e të qenit, e të folurit, gjestet e tij, janë jashtëzakonisht të frytshme në një botë, që po kalon nga komunikimi masiv në komunikimin më interaktiv, atë të “social media” (mediave shoqërore), atë të internetit. Papa Françesku, që jeton duke e kërkuar takimin me njerëzit, është abosultisht koherent me logjikën e këtij lloji komunikimi. Në një farë mënyre, ai na udhëheq, është lider i komunikimit njerëzor, kishtar e fetar në kohën e Rrjetit, ku, më shumë se sa transmetimi i koncepteve abstrakte, ndahet përvoja personale me të tjerët. Do të thosha se ky është kuptimi i konferencës sonë. Kontributi i prof. Reales ishte shumë interesant, sepse na bëri të shohim edhe “vis philosophica”, forcën e mendimit filozofik të Papës Françesku. Profesori e lidhi fort me Kierkegaard-in, që është filozof ekzistencialist, për të cilin ekzistenca luan rol themelor në reflektim e në atë, që komunikojmë për vetë ekzistencën.
Pavarësisht se nuk mori pjesë personalisht në këtë Sallon Ndërkombëtar, Papa Françesku ishte shumë i pranishëm përmes librave. Çfarë mësojmë për të, duke lexuar një libër?
Unë mendoj se ai na ka dhënë “Evangelii Gaudium”, Thirrjen e tij Apostolike, që në të vërtetë është libër, pasi mjaft e shtrirë. Është libër i ndjerë: kur e lexon, kupton personalitetin e Papës dhe deri diku, edhe idetë programatike të papnisë së tij. Siç vuri në dukje, me të drejtë, atë Spadaro, gjithçka shkruan Papa e lë rrugën të hapur: nuk është fjala për një dokument, që përpiqet ta mbyllë diskutimin, por gjithnjë, për një dokument, që përpiqet të hapë diskutime. Në këtë Thirrje, ai i hap dyert e Kishës për misionin, për kumtimin e Ungjillit në botën e sotme.








All the contents on this site are copyrighted ©.