2014-05-09 15:00:09

Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë: “Maria e zgjedhur nga Zoti”, par. 19, 20, 21


Vijojmë t’i jetojmë ditët e majit të Marisë me meditimet e Shën Luigji Maria Grignion de Monfort, duke shfletuar veprën “Traktati i devocionit të vërtetë për Marinë”. Sot, nga pjesa e parë e librit, shfletojmë kapitullin “Maria e zgjedhur nga Zoti”, paragrafët 19, 20, 21…

19. Po ta shqyrtojmë nga afër vijimin e jetës së Jezusit, do të vërejmë menjëherë se Ai deshi t’i nisë mrekullitë e tij nëpërmjet Marisë. E shenjtëroi Shën Gjonin në parzëm të s’ëmës, Shën Elizabetës, nëpërmjet fjalës së Marisë. Ajo nuk kishte nisur ende të flasë, kur Gjoni u shenjtërua, e qe kjo mrekullia e parë e më e madhe e hirit. Në dasmën e Kanës, e shndërroi ujin në verë, pas lutjes së përvujtë të Marisë, e qe mrekullia e parë në rendin e natyrës. I nisi e i vijoi mrekullitë me ndërmjetësimin e Marisë: e kështu edhe do t’i vijojë, në shekuj të shekujve, gjithnjë përmes Marisë.

20. Shpirti Shenjt Hyj, që është steril në Hyjin, domethënë, nuk prodhon një vetje tjetër hyjnore, u bë frytdhënës përmes Marisë, me të cilën lidhi fatin. Me të, në të e prej saj ai krijoi kryeveprën e tij, Zotin e bërë njeri, e lind ditë për ditë, deri në fund të fundit të botës, të paracaktuarit, gjymtyrë të Korpit të këtij kreu të adhuruar: prej këndej, sa më shumë ta gjejë Marinë, Vashën e vet të dashur e të pazgjidhshme në një shpirt, aq më shumë bëhet veprues e i pushtetshëm për ta formuar Jezu Krishtin në atë shpirt e shpirtin, në Jezu Krishtin.
21. Me këtë nuk duam të themi se është Virgjëra Mari ajo, që ia jep mundësinë për të prodhuar Shpirtit Shenjt, sikur ai të mos e kishte prej vetvetes sepse, duke qenë Zot, e ka aftësinë për të prodhuar, ashtu si Ati e Biri, edhe pse nuk e vë në jetë, për faktin se nuk krijon një vetje tjetër hyjnore. E kjo do të thotë se Shpirti Shenjt, përmes Virgjërës, nga e cila dëshiron të shërbehet, ndonëse nuk ka nevojë absolute, e vë në veprim prodhimtarinë e tij, duke prodhuar në të e nëpërmjet saj Jezu Krishtin e gjymtyrët e tij. O mister i hirit, i panjohur edhe për më të urtit e më të përshpirtshmit ndërmjet të krishterëve!







All the contents on this site are copyrighted ©.