Papa, agjencive të OKB-së: kundër “kulturës së hedhurinave” duhet mobilizim etik botëror
Është koha që e gjithë bota të mobilizohet kundër “kulturës së hedhurinave”, që e
konsideron çdo gjë të përkohshme, duke e mënjanuar e braktisur për diçka, në dukje,
më të mirë. Kjo është thirrja e Papës Françesku për agjencitë e OKB-së, gjatë takimit
me krerët e tyre ekzekutivë, shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki-mun. Ati
i Shenjtë i falenderoi Kombet e Bashkuara për punën në favor të paqes dhe të dinjitetit
njerëzor, por kërkoi edhe frymë më të madhe solidariteti nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Papa
vuri në dukje se çdo ditë, mijëra gra e burra, nën shenjën “UN” (United Nations –
Kombet e Bashkuara), bëjnë ç’është e mundur që të ulen në tryezën e bisedimeve palët
në konflikt, çojnë ushqim në vende krejtësisht të izoluara, vaksionojnë fëmijë, që
përndryshe nuk do t’i shpëtonin vdekjes. Ati i Shenjtë përmendi rezultatet pozitive
në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit, sidomos në fushën e edukimit
e në luftën kundër varfërisë, por, nënvizoi, “popujt meritojnë e shpresojnë fryte
më të mira”. Objektivat e ardhshme të zhvillimit duhen përcaktuar me bujari
e guxim. Vetëm kështu mund të ndikojnë në shkaqet strukturore të varfërisë e të urisë
dhe të ndihmojnë në ruajtjen e ambientit. Gjithashtu, theksoi Papa, u duhet garantuar
të gjithëve një punë me dinjitet dhe duhet mbrojtur familja: “Është fjala,
veçanërisht, të sfidohen të gjitha format e padrejtësisë, duke iu kundërvënë ekonomisë
që e mënjanon njeriun, kulturës së hedhurinave dhe kulturës së vdekjes, që, fatkeqësisht,
mund të kthehen në një mendësi, e cila pranohet në mënyrë pasive”. Papa Françesku
kujtoi takimin e Jezusit me publikanin e pasur Xakeu, ashtu siç tregohet në Ungjill.
Xakeu, tha Ati i Shenjtë, mori një vendim radikal, i ndau me të tjerët pasuritë, ashtu
siç e donte e drejta. Kjo është fryma, që duhet të jetë në fillim e në mbarim të çdo
veprimi politik e ekonomik, theksoi Papa: “Vështrimi, shpesh i heshtur, i asaj
pjese të njerëzimit, që hidhet, lihet mbrapa shpinës, duhet t’u prekë ndërgjegjen
politikanëve dhe ekonomistëve dhe duhet të nxisë vendime bujare e të guximshme, me
rezultate të menjëhershme, si vendimi i Xakeut”. Duhet edhe ta pyesim veten
nëse fryma e solidaritetit udhëheq mendimet e veprimet tona, shtoi Ati i Shenjtë,
i cili ripohoi se duhet mbrojtur jeta nga zënia deri në fundin e natyrshëm dhe duhet
t’ua kthejmë me bujari të tjerëve, atë që mund t’u kemi marrë pa të drejtë: “Episodi
i Jezu Krishtit me Xakeun na mëson se bujaria konkrete para nevojave të të tjerëve
duhet të jetë gjithnjë mbi sistemet e teoritë ekonomike e shoqërore. Jezusi nuk i
kërkon Xakeut të ndryshojë punë, as të denoncojë veprimtarinë e vet tregtare: e nxit
vetëm të verë gjithçka në shërbim të njerëzve, lirisht, por menjëherë e pa diskutime”.
Prandaj, nënvizoi Papa Françesku para krerëve të OKB-së, zhvillimi i barabartë
ekonomik e shoqëror mund të arrihet vetëm duke ndërthurur shkencën e teknologjinë
me solidaritetin e vazhdueshëm e pa interes, në të gjitha nivelet. Ky lloj zhvillimi
ka nevojë për impenjimin e krejt planetit, e ka bazën në rishpërndarjen e ligjshme
të të mirave materiale nga ana e shtetit, përmes bashkëpunimit të domosdoshëm të veprimtarive
ekonomike private me shoqërinë civile: “Ju ftoj të promovoni së bashku një
mobilizim të vërtetë etik botëror, i cili, pavarësisht nga ndryshimet ndërmjet besimeve
e opinioneve politike, të përhapë e të verë në jetë një ideal të përbashkët vëllazërimi
e solidariteti, sidomos ndaj më të varfërve e të përjashtuarve”. Nga ana
e tij, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun, nënvizoi se edhe Kombet e Bashkuara
frymëzohen nga Papa Françesku e nga impenjimi i tij në favor të njeriut e të çrrënjosjes
së varfërisë: “Kam besim në Kishën Katolike, në udhëheqjen tuaj, në drejtimin
tuaj shpirtëror, për të vazhduar punën, në bashkëpunim të ngushtë me Kombet e Bashkuara,
për promovimin e një jete dinjitoze për të gjithë”. Në fund, Ban Ki-Mun, i
cili është korean, e falenderoi Papën Françesku për udhëtimin e tij të ardhshëm në
Korenë e Jugut, ku, tha ai, prania e Atit të Shenjtë do të jetë mesazh pajtimi.