2014-05-08 09:50:09

Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë: “Maria e zgjedhur nga Zoti”, par. 17,18


Vijojmë t’i jetojmë ditët e majit të Marisë, gruas së pashoqe kah hiri e pashia, në gjak e gjini me një Zot, me hënën si shkëmb nën këmbë, duke shfletuar veprën “Traktati i devocionit të vërtetë për Marinë”, shkruar nga Shën Luigji Maria Grignion de Monfort. Sot ju ftojmë në meditimin e paragrafëve 17 e 18.RealAudioMP3

17. Hyji Atë i përcolli Marisë fekonditetin e Vet, për aq sa mund të ishte e aftë një krijesë njerëzore, për t’i dhënë, kështu, pushtetin të lindte Birin e Tij dhe të gjitha gjymtyrët e korpit të Tij mistik.

Hyji Bir zbriti në kraharorin e saj virgjëror, si Adami i ri në Parajsën e tij tokësore, për të gjetur aty kënaqësitë e veta e për të kryer, në fshehtësi, mrekullitë e hirit. Ky Zot, i bërë njeri, gjeti lirinë e Tij, nësa burgosej në kraharorin e saj; bëri të shkëlqente forca e Tij, duke e lënë veten në parzëm të kësaj Vashe; gjeti lavdinë e Tij e të Atit të Tij, duke i fshehur shkëlqimet e Veta e të të gjitha krijesave të kësaj bote, për t’ia zbuluar vetëm Marisë; e lumnoi pavarësinë e vet e madhërinë e vet, duke jetuar nën vartësinë e Virgjërës së ëmbël, në zënie, në lindje, në paraqitjen në tempull, në jetën e fshehur për 30 vjet e deri në vdekje, në të cilën asaj iu desh të ishte e pranishme, për t’u shkrirë me Të në një flijim të vetëm e për t’u bërë, më lirisht theror për Atin e amshuar, ashtu si dikur Isaku u bë fli e vullnetit të Zotit, me miratimin e Abrahamit. Është ajo, që e mëkoi me qumështin e gjirit, që e ushqeu, e ruajti, e edukoi dhe e flijoi për ne! O vartësi e mahnitshme, e pamatshme, e një Zoti, që Shpirti Shenjt nuk mundi ta kalojë në heshtje në Ungjill, për të na treguar vlerën e lumninë e pakufi, edhe pse heshti për gati të gjitha mrekullitë, që kjo Dije e mishëruar kreu gjatë jetës së Tij të fshehur. Jezu Krishti i dha më shumë lavdi Hyjit, Atit të vet, duke iu nënshtruar nënës së Tij gjatë tridhjetë vjetëve, sesa duke e kthyer mbarë botën përmes mrekullive të bujshme. Oh, sa lartësisht i japim lumni Hyjit kur, për t’i pëlqyer, i nënshtrohemi Marisë, sipas shembullit të Jezu Krishtit, modelit tonë të vetëm!








All the contents on this site are copyrighted ©.