Papa Françesku takohet me Karekinin II: ekumenizmi i martirizimit, fara e bashkimit
Papa Françesku u takua sot në Vatikan me Katolikosin e të gjithë Armenëve, Karekinin
II. “Jam shumë i lumtur
t’ju uroj Juve, Shenjtëri, dhe delegacionit që ju shoqëron – tha Papa – mirëseardhjen
më të përzemërt”. Ati i Shenjtë përshëndeti të gjithë anëtarët e Kishës Apostolike
Armene, duke bekuar lidhjet ndërmjet saj dhe Kishës së Romës, duke kujtuar udhëtimin
e shën Gjon Palit II në Armeni, në vitin 2001, atë të Benediktit XVI në vitin 2008
dhe praninë e Katolikosit në meshën e fillimit të papnisë së Horhe Mario Bergolios
në Romë, vitin e kaluar. Sidomos, Papa Françesku përmendi praninë e Katolikosit
të Armenëve në Përkujtimin e Dëshmitarëve të fesë së shekullit XX, në kuadrin e Jubileut
të vitit 2000. “Numri i dishepujve, që derdhën gjakun për Krishtin në ngjarjet tragjike
të shekullit të kaluar – nënvizoi Ati i Shenjtë – është sigurisht më i madh se ai
i martirëve të shekujve të parë e në këtë martirizim, bijtë e kombit armen kanë një
vend nderi. Misteri i kryqit… kaq i dashur për kujtesën e popullit tuaj, përfaqësuar
nga kryqet e mrekullueshme të gurta, që zbukurojnë çdo kënd të tokës suaj, është përjetuar
nga shumë prej bijve tuaj si pjesëmarrje e drejtpërdrejtë në Mundimet e Krishtit.
Dëshmia e tyre, njëkohësisht tragjike dhe sublime, nuk duhet harruar kurrë”: “Vuajtjet
e të krishterëve kanë sjellë një kontribut të çmuar në çështjen e bashkimit të dishepujve
të Krishtit. Ashtu si në Kishën e lashtë, gjaku i martirëve u bë farë e të krishterëve
të rinj, ashtu edhe në ditët tona, gjaku i shumë të krishterëve është bërë farë bashkimi.
Ekumenizmi i vuajtjes, ekumenizmi i martirizimit, ekumenizmi i gjakut, është thirrje
e fuqishme për të ecur në udhën e pajtimit ndërmjet Kishave, duke e lënë me besim
veten në dorë të Shpirtit Shenjt”. Është borxhi që kemi para vuajtjes së vëllezërve
tanë, theksoi Papa Françesku. Ati i Shenjtë e falenderoi Katolikosin e Armenëve për
kontributin që jep në Komisionin e përbashkët për Dialogun Teologjik ndërmjet Kishës
Katolike dhe Kishave Ortodokse Lindore dhe kërkoi: “Të lutemi për njëri-tjetrin:
Shpirti i Shenjtë na ndriçoftë e na udhëheqtë drejt ditës kaq të dëshiruar, në të
cilën të mund të ndajmë së bashku mensën eukaristike”.