Kremtohet sot festa e Zojës së Pompeit, e Papa Françseku, duke e theksuar këtë në
audiencën e djeshme të përgjithshme, kujtoi se sot Kisha i larton lutjen Zojës Rruzare
të Pompeit dhe i porositi të gjithë ta vlerësojnë, në këtë muaj, kushtuar Zojës së
Bekuar, Rruzaren Shenjte. E vuri, kështu, përsëri Rruzaren, në qendër
të vëmendjes, e kjo na shtyn të mendojmë mbi vlerat e saj. Rruzarja është kristocentrike Është
e qartë se Rruzarja nuk është sakrament, e as kremtim liturgjik i mbarë Kishës. Megjithatë
lidhet ngushtë me liturgjinë: ashtu ai ajo, ushqehet nga Shkrimi Shenjt e zhvillohet
rreth misterit të Krishtit. Madje cikli i mistereve të Rruzares mund të krahasohet
me zhvillimin e vitit liturgjik. Me kohën liturgjike të Ardhjes e të
Krishlindjes përkojnë misteret e gazmendit, të përqendruara tek Mishërimi. Me
kohën e Mundimeve e të Javës së Madhe, përkojnë misteret e mundimeve
të Shëlbuesit në Kryq. Koha e Pashkëve dhe e Rrëshajëve pasqyrojnë
misteret e lumturisë e të dritës së Krishtit të ngjallur, që rrezatojnë mbi Kishën. Festat
e të Ngjiturit të Zojës në qiell dhe e Marisë Mbretëreshë e qiellit dhe e tokës, përkojnë
me dy misteret e fundit. Ndonëse në plane të ndryshme, kremtimi liturgjik e kundrimi
përmes Rruzares, na çojnë tek të njëjtat ngjarje të shëlbimit, kryer nga Krishti.
Ashtu si liturgjia, Rruzarja ka në qendër misterin e Krishtit Shëlbues. Me qartësinë
e katër serive të mistereve, Rruzarja nënvizon aspekte themelore, ashtu si në skemën
e predikimit të Apostujve: Biri i Hyjit u bë njeri, u kryqëzua për mëkatet tona, u
ngjall për lumturinë tonë, na dhuroi Korpin e Gjakun e vet në Eukaristi. Duhet
vërejtur edhe se Rruzarja, duke na bërë të përshkojmë më shpesh ciklin e mistereve
të Mishërimit, të Kryqit e të Lumturisë së Zotit, na ndihmon të perceptojmë unitetin
e thellë të misterit të Krishtit, që liturgjia e shpalos gjatë një viti të tërë. Është
mirë të meditohen misteret e mundimeve edhe në Kohën e Krishtlindjes e të kundrohen
Ngjallja e Rrëshajët, gjatë Javës së Madhe…
Maria na çon tek Krishti Në lutjen e Rruzares, Virgjëra Mari zë një vend të rëndësishëm, sepse elementi
më karakteristik është përsëritja e përshëndetjes ‘Të falemi Mari!”. E përshëndesim
kështu, për vendin që zë në planin e shëlbimit: ajo është Nëna e Shëlbuesit. Edhe
përsëritja e kësaj përshëndetjeje bëhet lavdërim i përhershëm drejtuar Krishtit,
fjalë e fundit e lajmërimit të Engjëlli dhe e përshëndetjes së Elizabetës: “Bekuar
fryti i barkut tënd”. (Mk 46) Përsëritja e ‘Të falemi Mari’ përbën strumbullarin,
rreth të cilit shtjellohet kundrimi i mistereve të Krishtit. Njëri pas tjetrit, misteret
na paraqesin atë Jezus, që është në qendër të ‘Falemi Marisë: të lindur në Shpellë
të Betlehemit; ndër grahma në Kopshtin e Ullinjve; të ngjallur prej të vdekurve, ndërsa
dërgon Shpirtin Shenjt ose larton Marinë në lumturinë e vet. Ata që përdorin ‘klauzolat’,
fraza tepër të shkurtëra, të cilat kujtojnë çdo mister si: Jezusi vdiq për ne mbi
kryq… Jezusi na jep Shpirtin Shenjt.. e dinë mirë se kjo e ndihmon shumë kundrimin. Edhe
në praktikën e Rruzares, Virgjëra Mari nuk pushon së qeni shërbëtorja e Hyjit.
Përmes
Rruzares Maria na mëson ‘të hyjmë në jetën shpirtërore’ .
E këtu duket
edhe gjithë vlera e një lutjeje si Rruzarja. Në se jemi të qetë e të zhytur në mendim,
Rruzarja na bën t’i meditojmë misteret e jetës së Zotit, të para me syrin e me zemrën
e Marisë (MC. 47). Na bën të marrim pjesë në lutjen Marisë “që i ruante të
gjitha këto sende e i meditonte në zemrën e vet”. Duke i bërë kështu familjare
misteret e Krishtit në shpirtin tonë e në zemrën tonë, Rruzarja na përgatit t’i kremtojmë
në liturgji të njëjtat mistere “me shpirt e vërtetësi”. Duke kërkuar ndërmjetësimin
amëtar të Marisë me fjalët “Lutu për ne mëkatnorë”, Rruzarja na bën të ndjejmë në
shpirt atë të varfëri e përvujtëri, pa të cilën nuk mund të ndikojë mbi ne Shpirti
Shenjt, ashtu si në Çenakull, kur Apostujt ishin mbledhur rreth Marisë. Rruzarja
na krijon mundësinë t’i shijojmë mrekullisht përfitimet që kemi nga amësia shpirtërore
e Marisë dhe e gjithë Kishës, që liturgjia të ketë në jetën tonë një ‘jehonë të thellë’
(MC 48) që nga impenjimet apostolike.