Lutja e Pompeit. Kardinali Parolin: t’ia besojmë Zojës të gjitha shqetësimet e nevojat
T’ia besojmë Zojës të gjitha shqetësime e nevojat. Në Meshën e kremtuar sot paradite,
në tremen e Bazilikës së Pompeit, në ditën që Kisha ia kushton Lutjes së Zojës në
këtë shenjtërore italiane, themeluar nga i Lumi Bartolo Longo, Sekretari i Shtetit
të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin kujtoi historinë e Rruzares tradicionale të
shën Marisë së Pompeit. “Qyteti i Marisë”,
siç e quajti kardinali, në fund të viteve ‘800, kur Bartolo Longo filloi të thotë
Rruzaren e ta përhapë atë ndër banorët e zonës, ishte krejtësisht i varfër e i braktisur.
Njerëzit shfrytëzoheshin e nuk kishin dinjitet, gjendje e ngjashme me krizën e sotme,
që shkakton papunësi, sidomos ndërmjet të rinjve, duke i penguar ta shohin të ardhmen
me qetësi e besim. Duke bërë thirrje për solidaritet e i frymëzuar nga liturgjia e
sotme, kushtuar Kishës së viteve të para, prelati u ndal në mandatin e të krishterëve
për të dëshmuar fenë, për ta vënë në praktikë përmes dashurisë për të afërmin e për
të qenë drita e botës: “Të mendojmë për mijëra të krishterët që, edhe sot, në
shekullin XXI, vuajnë për shkak të fesë, persekutohen, u mohohen të drejtat. Të lutemi
për ta e, sidomos, të veprojmë si ata – do të thoshte Papa Françesku – pa rënë në
kompromis me frymën e botës, por duke e jetuar dhe dëshmuar plotësisht fenë tonë”. Të
fortë në fe, të vendosur në dashurinë për vëllezërit, mund të jemi vërtet dritë e
botës, si Jezusi, tha më tej kardinali Parolin: “T’i ndihmojmë njerëzit e këtyre
kohëve tona të vështira të besojnë në Jezusin e në Atë që e ka dërguar; t’i japim
shpresë njerëzimit, sepse Krishti nuk erdhi për të na dënuar, por për të na shëlbuar:
nuk mund të jetë tjetër, veçse ky, impenjimi ynë si të krishterë të matur e guximtarë”. Së
fundi, lutja për Zojën e Bekuar: “T’ia besojmë Marisë, Mbretëreshë e Qiellit
dhe e Tokës, por sidomos Nëna jonë e ëmbël, “më e dhembshura e të gjitha nënave”,
shqetësimet dhe nevojat tona”.