2014-05-08 09:50:55

Lutja e Gjon Palit II, Zojës së Pompeit


Kanë kaluar vetëm pak ditë nga Shenjtërimi i Gjon Palit II, kremtim në të cilin, fizikisht a shpirtërisht, mori pjesë mbarë bota. Pati, kështu, rastin, ta njohë edhe një herë devocionin e thellë të Papës polak, për Zojën e Bekuar, gjë që pasqyrohet në moton e papnisë së tij “Totus Tuus” e pasqyrohet edhe në këtë lutje, drejtuar Zojës së Pompeit, Shenjtëroren e së cilës e vizitoi disa herë. Prandaj e zgjodhëm për festën e sotme. Pa harruar të kujtojmë edhe grishjen e djeshme të Françeskut: “I ftoj të gjithë të kërkojnë ndërmjetësimin e Marisë, që Zoti të jetë i mëshirshëm për Kishën e vet e t’i japë paqe, Asaj e botës mbarë”. RealAudioMP3

Lutu, o Nënë, për të gjithë ne!
Lutu për njerëzimin, që vuan nga mjerimi e padrejtësia,
nga dhuna e urrejtja,
nga terrori e luftërat.
Na ndihmo t'i kundrojmë, me Rruzaren Shenjte,
misteret e Atij, që është "paqja jonë",
në mënyrë që të gjithë ta ndjejmë veten të impenjuar në shërbim të paqes.
O Zojë, Ti më e pastërta nga të gjitha krijesat,
ndihmoi burrat e gratë e kohëve tona,
posaçërisht të rinjtë, ta rizbulojnë vlerën e pastërtisë
e t'i jetojnë marrëdhëniet ndërmjet tyre me respekt e dashuri të sinqertë.
O Mari, në zemrën tënde jeton përgjithnjë kujtimi i ditës së madhe
kur the "Po".
Ti kthehesh pambarimisht në shtëpinë e vogël të Nazaretit
dhe mahnitesh përpara Kryeengjëllit Gabriel,
që të sjell lajmin se Zoti dëshiron të bëhet njeri, si ne.
E sot ne hyjmë në zemrën tënde,
për të shijuar mrekullinë që provove atë ditë sa të largët, aqë të afërt,
ditën kur the "po".
Dëshirojmë të jetë dita e "po" sonë,
e ta themi së bashku me ty, o Mari!
Mbretëreshë e jetës, lutu për ne, lutu me ne, lutu për jetën!
Lutu për ne, o Nënë e shpresës, na jep ditë paqeje,
udhëhiqna në shtegtimin tonë,
bëj ta shikojmë Birin tënd plot gëzim në qiell!
Nënë e shenjtë e Shëlbuesit,
shoqëroi hapat tonë në këto ditë të vështira.
Jepi botës dhuratën e paqes!
Nënë e Zotit, lutu për ne!








All the contents on this site are copyrighted ©.