Deklaratë e atë Lombardit për sekuestrimin e vajzave në Nigeri
Pas sekuestrimit të studenteve nga organizata terroriste islamike Boko Haram në Nigeri,
drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, u pyet nga gazetarët
për qëndrimin e Selisë së Shenjtë. Ja deklarata e tij: Marrja peng e një numri
të madh vajzash shumë të reja nga ana e terroristëve të Boko Haramit i shtohet formave
të tjera të tmerrshme të dhunës, të cilat, prej kohësh, karakterizojnë veprimtarinë
e këtij grupi në Nigeri. Mohimi i çdo lloj respekti për jetën e për dinjitetin e njerëzve,
edhe të më të pafajshmëve, më të brishtëve e më të pambrojturve, kërkon dënimin më
të ashpër e zgjon mëshirën më të thellë për viktimat, si edhe tmerrin për vuajtjet
fizike e shpirtërore, për poshtërimet e pabesueshme që u bëhen. Bashkohemi me thirrjet
e shumta për lirimin e vajzave e për kthimin e tyre në kushtet normale të jetesës.
Shpresojmë e lutemi që Nigeria, falë impenjimit të të gjithë atyre që mund të kontribuojnë,
të gjejë udhën për t’i dhënë fund kësaj gjendjeje të urryer konflikti e terrorizmi,
burim dhimbjesh të pallogaritshme.