2014-05-07 14:32:25

Raport mbi kushtet e nënave dhe të fëmijëve në botë


Në prag të festës së nënës, që në shumë vende të botës kremtohet të dielën, më 11 qershor (të dielën e dytë të majit), organizata ndërkombëtare “Save the Children” (Shpëtoni fëmijët) publikoi raportin e saj të 15-të mbi gjendjen e nënave në botë. Duke analizuar kushtet e grave dhe të fëmijëve në 176 vende, kjo organizatë jo fitimprurëse vë në dukje se problemet më të mëdha ndodhen në kontinentin afrikan.
Dhjetë vendet e fundit të listës janë Somalia (në bisht), Republika Demokratike e Kongos, Nigeri, Mali, Bregu i Fildishtë, Çadi, Nigeria, Sierra Leone, Republika e Afrikës Qendrore dhe Guinea Bisau. Këto shtete kanë marrë më pak pikë se të tjerët në vlerësimin e pesë treguesve bazë të studimit: shëndeti i nënës dhe rreziku i vdekjes gjatë lindjes, mirëqënia e fëmijëve dhe treguesi i vdekshmërisë deri në moshën 5-vjeçare, niveli i arsimimit, Prodhimi i Brendshëm Brut për kokë, pjesëmarrja në jetën politike.
Mesatarisht, në vendet në fund të klasifikimit, 1 ndër 30 gra vdes për shkaqe të lidhura me shtatzaninë ose me lindjen, ndërsa në të gjithë botën, rreth një milion të posalindur nuk jetojnë më shumë se një ditë. Shkaku kryesor i kësaj gjendjeje është mungesa e shërbimeve shëndetësore bazë dhe e asistencës për gratë, para, gjatë dhe pas lindjes së fëmijëve.
Ndër vendet perëndimore, gjendja është e shkëlqyer në Finlandë, e para në listë, por shqetëson vendi i 30-të, që zënë SHBA-të për shkak të vdekshmërisë foshnjore. Rreth 11 mijë fëmijë vdesin në ditën e parë të jetës. Shqipëria zë vendin e 83-të në klasifikimin e organizatës “Save the Children”.







All the contents on this site are copyrighted ©.