2014-05-07 14:31:41

Papa në audiencën e përgjithshme: me dhuratën e këshillës Hyji na e ndriçon jetën


Sot Papa ia kushtoi “këshillës”, një nga të shtatë dhuratat e Shpirtit Shenjt, katekizimin e audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e 50 mijë vetëve.RealAudioMP3

Kur jeta na flak në një tunel të errët, këshilla e mirë, që mund të sjellë një rreze drite, vlen më shumë se ari. E paçmuar është, atëherë, mundësia që Zoti vetë të na e tregojë udhën e drejtë, shpjegoi Françesku. E kjo ndodh, nëse ia kërkojmë Hyjit dhuratën, për të cilën kemi nevojë, atë të këshillës:
“Është dhurata me të cilën Shpirti Shenjt e aftëson ndërgjegjen tonë të bëjë zgjedhje konkrete, në bashkim me Hyjin, sipas logjikës së Jezusit e të Ungjillit të Tij. Në këtë mënyrë, Shpirti Shenjt na bën të rritemi brënda nesh, të rritemi pozitivisht, na bën të rritemi në bashkësi e na ndihmon të mos biem nën pushtetin e egoizmit e të prirjes për t’i shikuar gjërat sipas mënyrës sonë”.
Kyçi, që e hap portën e këshillës së Zotit, është një i vetëm. Papa Françesku e quajti ‘kusht themelor’ për ta pasur e për ta ruajtur këtë dhuratë: është lutja. Lutja, që e mësuam që kur ishim fëmijë, tha në vijim, ajo, që gurron vetvetiu nga thelbi i zemrës, në jetën tonë të përditshme, në çaste nga më të ndryshmet, kur kemi nevojë të papërballueshme për praninë e Hyjit:
Me lutjen i bëjmë vend Shpirtit Shenjt, që të vijë e të na ndihmojë në atë çast, të vijë e të na këshillojë për gjithçka duhet të bëjmë. Lutja! Mos e harroni kurrë lutjen, kurrë! Askush, askush nuk kujtohet kur lutemi në autobus, në ecje, në shëtitje; të lutemi në heshtje, me zemër, të përfitojmë nga këto çaste, për t’u lutur. Të lutemi, që Shpirti Shenjt të na japë dhuratën e këshillës”.
Të lutesh, vijoi Papa, është si të hysh në përkim të thellë, gati-gati të së njëjtës natyrë, me Shpirtin Shenjt. Por Zoti nuk na flet vetëm në fshehtësinë e zemrave tona, e, prej këndej, dhurata e këshillës, pohoi më tej Papa, nuk duhet parë thjesht në optikën personale, sepse përbën një thesar edhe për gjithë bashkësinë e krishterë. E, si të donte ta vërtetonte këtë, Papa rrëfei një ngjarje, që i pati ndodhur atij vetë vite më parë, kur vizitonte Shenjtëroren e Zojës së Lujanit. Një djalosh i tregoi, në rrëfim, se kishte pasur një problem të madh për të zgjidhur e edhe se kishte arritur ta zgjidhte, duke kërkuar këshillën e së ëmës:
“Ja, një grua, që kishte dhuratën e këshillës. Nuk e dinte si zgjidhej problemi i të birit, por dinte cila ishte rruga më e drejtë, për ta zgjidhur atë: ‘Shko tek Zoja e Bekuar e ajo do të të tregojë sesi’, e këshilloi. Kjo është dhurata e këshillës. Kjo grua e përvuajtur, e thjeshtë, i dha të birit këshillën më të vërtetë, më të frytshme. E i biri i kësaj nëne, vijoi të më tregonte: ‘Pashë Zojën e ndjeva në shpirt se duhet të bëja këtë e këtë e këtë…’ . Unë s’pata nevojë të flas fare, e kishin thënë gjithçka e ëma e ai vetë. Kjo është dhurata e këshillës. Ju, nëna, që e keni këtë dhuratë, lypeni për bijtë tuaj. Dhurata për t’u dhënë këshilla bijve, është dhuratë e Hyjit”.









All the contents on this site are copyrighted ©.