2014-05-07 14:20:42

Imzot Tomazi në OKB: 848 meshtarë të përjashtuar nga radhët e klerit në 10 vjetët e fundit


Një dialog konstruktiv, që sqaroi shumë aspekte: kështu e quajti Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Zyrat e OKB-së së Gjenevës, imzot Silvano Maria Tomazi, debatin e pasdites së djeshme para Komitetit për Konventën kundër torturës (CAT). Imzot Tomazi iu përgjigj pyetjeve, që i bënë anëtarët të hënën, pas paraqitjes së raportit mbi impenjimin e Vatikanit në këtë fushë. E ftuam vetë imzot Tomazin në mikrofonin tonë, për të na sqaruar më gjerësisht për fjalën e mbajtur në Gjenevë:RealAudioMP3
Do të thosha se pika më e rëndësishme për të cilën duhej të bindnim ekspertët ishte se Kisha – nga njëra anë Selia e Shenjtë, në fushën e vet, dhe [nga ana tjetër], Konferencat Ipeshkvnore e Kisha në përgjithësi – që prej 10 vjetësh, është në vijën e parë të frontit kundër çdo shpërdorimi seksual të fëmijëve, për parandalimin e këtij krimi, për të ndihmuar viktimat dhe për të dënuar fajtorët. S'duam të konsolidohet mendimi se Kisha nuk ka bërë sa duhet, ose se Kisha është përpjekur të shmangë dhe po shmang akoma përballimin e problemit. Për këtë, paraqitëm të dhëna të sakta, që dëshmojnë se Kongregata për Doktrinën e Fesë, që nga viti 2004 deri në fund të vitit 2013, ka përjashtuar nga radhët e klerit 848 meshtarë. Pra, vullneti për t’i dhënë fund këtij krimi e për të bërë ç’është e mundur që të parandalohet, është serioz.
Duhej të flitej për interpretimin e Konventës mbi torturën, por u fol për shpërdorimet seksuale. A nuk ka rrezik të banalizohen këto dy tema kaq të rëndësishme, duke i marrë së bashku?
Me gjithë vullnetin e mirë për ta përqendruar diskutimin në aspektet juridike të Konventës kundër torturës, në zbatimin e saj në territorin e Qytet-Shtetit të Vatikanit, për të dalluar e për të ndarë përgjegjësitë juridike nga ato baritore, mënyra si e trajtuan çështjen ekspertët e vuri pashmangshmërisht atë në planin e pedofilisë. Prandaj, ishte e parashikueshme që kjo temë – e cila lidhet me interpretimin e torturës dhe të trajtimit çnjerëzor, pjesë e Konventës kundër torturës – të hynte në debat. Jo të gjitha shpërdorimet seksuale janë “torturë”, por neni 16 e thotë qartë se trajtimi çnjerëzor e poshtërues është argument i kësaj Konvente. Kështu që, nga njëra anë, është e ligjshme që ekspertët ta prekin këtë temë, por, nga ana tjetër, duhet këmbëngulur në faktin që kjo temë të interpretohet sipas Konvetës së Vienës mbi Traktatet, domethënë, nuk mund të shtohen krime të reja, që nuk përmenden në vetë Konventën dhe duhen dalluar qartë fushat e veprimit të Konventës për të drejtat e fëmijëve dhe të kësaj kundër torturës.







All the contents on this site are copyrighted ©.