2014-05-06 15:13:06

Vatikan. Betohen 30 roje të reja zvicerane


“Sot, në Pallatin Apostolik, në shtëpinë e Papës, ndjehet një atmosferë feste”. Kështu tha sot paradite në Oborrin e Shën Damazit, zëvendësi i Sekretarisë së Shtetit, imzot Xhovani Anxhelo Beçiu, para se të betoheshin 30 roje të reja zvicerane.RealAudioMP3 Si çdo vit, ceremonia u zhvillua në ditën kur kujtohet flijimi i 147 ushtarëve të Truprojes, që humbën jetën më 6 maj 1527, gjatë “plaçkitjes së Romës”, për të mbrojtur Papën Klementi VII nga lancikenekët, mercenarë spanjollë.
E si përherë, kumbimi i borive, oshëtima e daulleve, notat e muzikës e të himneve, zërat e rojeve që betoheshin, shoqëruan këtë takim tradicional, gjatë të cilit komandati i Rojeve Zvicerane, Daniel Anrig, kujtoi se flijimi i ushtarëve, 487 vjet më parë, mishëron edhe sot frymën e shërbimit e të besnikërisë për Atin e Shenjtë:
“Ju betoheni t’i shërbeni Papës së Romës me besnikëri, duke përdorur të gjitha forcat për të, edhe me rrezik jete… Nuk janë paratë, nuk është argëtimi e konsumizmi, që e pasurojnë jetën, por përkushtimi, sakrifica”.
Zëvendësi i Sekretarisë së Shtetit, imzot Beçiu, i këshilloi rojet të lusin shenjtorët e rinj, Gjon Palin II dhe Gjonin XXIII. Kërkojuni t’ju ndihmojnë ta kryeni sa më mirë detyrën, u tha. E kjo detyrë, nënvizoi edhe kapelani Markus Hajnc, duhet të frymëzohet nga vlera të patjetërsueshme:
“Të dashura roje, faqja e dytë e medaljes së shërbimit tuaj, përveç guximit, është besnikëria: të jeni gati të impenjoheni me gjithë vetveten, jo vetëm në rastin më ekstrem, por edhe në ngjarjet e përditshme të shërbimit e të jetës së Truprojes. Impenjimi juaj, jo në dritat e skenës publike, nuk është më pak heroik e nuk kërkon më pak forca. Është besnik dhe i fortë ai, që di t’u rezistojë vështirësive dhe tundimeve, që vazhdon të bëjë mirë e të kapërcejë vështirësitë”.
Solemn, çasti i betimit të 30 rekrutëve, thirrur me emër, një për një, me dorën e majtë mbi flamurin e Rojeve Zvicerane dhe me të djathtën e ngritur lart, me tre gishtat e hapura, simbol i Trinisë së Shenjtë. Sot pasdite, mesha e falenderimit, kremtuar nga Sekretari i Shtetit, kardinali Pietro Parolin, në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe koncerti i orkestrës frymore të të rinjve të kantonit Shvic, në Sallën Pali VI.








All the contents on this site are copyrighted ©.