2014-05-06 10:44:56

Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë: “Madhështia e Marisë” par. 10,11,12, 13


Sado të flasësh për Marinë, nuk mjafton; sado ta lavdërosh, nuk është shumë, sado t’i lutesh, nuk është tepër… Ajo është dritë e rrezes së amshuar; gurrë e gjallë, që gurgullon në vërrije të blerta të qiellit, Grua e folme prej amshimit…Këtë na kujton, ditën e gjashtë të Majit të Zojës, “Traktati i devocionit të vërtetë për Marinë”, shkruar nga Shën Luigji Maria Grignion de Monfort. Duke vijuar pjesën e parë të veprës, titulluar “Madhështia e Marisë”, ndalemi sot tek paragrafet 10, 11, 12, e 13, pasi në emisionin e kaluar folëm për lavdinë e Marisë: RealAudioMP3

10. E, si e thamë këtë, duhet, në të vërtetë të shtojmë, bashkë me shenjtorët: sado të flasësh për Marinë, nuk mjafton. Maria nuk lavdërohet kurrë si e sa duhet, nuk lartohet, nuk nderohet, nuk duhet as nuk shërbehet kurrë, aq sa meriton. Sepse Ajo meriton më të lartat lavde, nderime, dashuri, përkushtime.

11. E akoma, njëzëri me Shpirtin Shenjt, duhet të themi: “I tërë shkëlqimi i bijës së Mbretit, është në shpirtin e saj”. Si të mos ishte gjë prej gjëje gjithë lavdia e jashtme që, në garë, i këndojnë qiell e tokë, përballë lavdisë së brendshme, të cilën e merr prej Krijuesit, krejt e panjohur nga krijesat e vogla, të paafta për të depërtuar në sekretin më të fshehtë të Mbretit.

12. E, në fund, me Apostullin, mund të brohorasim; “Syri nuk i pa, as veshi nuk i dëgjoi, as kurrë nuk hynë në zemër të njeriut…” bukuritë, madhështitë, lartësitë e Marisë, mrekulli e mrekullive të hirit, të natyrës e të vetë lavdisë. Thotë një shenjt; nëse dëshiron ta kuptosh Nënën, njih Birin. Është nëna e denjë e Hyjit! E këtu çdo fjalë, që del nga goja jonë, tingëllon krejt e tepërt.

13. Është zemra, ajo që ma diktoi çka sapo shkrova, me gëzim të posaçëm, për të treguar sesa e panjohur ishte deri më sot Maria; e kjo, edhe një nga arsyet, për të cilat Jezu Krishti nuk njihet si duhet. Është, pra, e sigurt se njohja e Jezu Krishtit dhe ardhja e mbretërisë së Tij në botë, nuk do të jenë tjetër, veçse pasojë e nevojshme e njohjes së Virgjërës së Shenjtë dhe e ardhjes së Mbretërisë së Marisë, që e nxori në dritë herën e parë e do ta bëjë të shkëlqejë rishtas të dytën.








All the contents on this site are copyrighted ©.