2014-05-05 15:02:59

Papa Rojeve Zvicerane: të jeni të fortë në fe, bujarë në mirësi, të njerëzishëm në pritje


Të jeni të fortë në fe e bujarë në mirësi ndaj njerëzve që takoni”: me këto fjalë iu drejtua Papa Rojeve Zvicerane që, të shoqëruara nga komandanti Daniel Anrig, u pritën sot, së bashku me familjarët dhe miqtë, në Sallën Klementine. Takimi u mbajt në prag të Festës së Rojeve Papnore, që do të kremtohet nesër, për kujtim të qëndrimit heroik gjatë plaçkitjes së Romës, më 6 maj 1547, në përpjekjen për të mbrojtur Klementin VII nga sulmi i Lancikenekëve.RealAudioMP3

“Ditë e jashtëzakshme”, kujtoi Papa Françesku, që përkujton aktin heroik të pararendësve të Rojeve Zvicerane, Armë e themeluar më 1506, nën papninë e Julit II:
Përkushtimi juaj vërteton se guximi e besnikëria e tyre sollën fryte, siç thotë Ungjilli: fara e hedhur dhe e kallur në tokë, u rrit”.
Por rrethanat e jetës shoqërore e kishtare, vërejti në vijim Papa, ndryshuan shumë që asokohe: shoqëria nuk është më ajo që ishte, kur Roma pësonte një mori sulmesh. Nuk është më shoqëria…
“…po zemra e njeriut, aftësia e tij për të qenë besnik e guximtar, ‘acriter et fideliter’ , siç thotë motoja juaj – mbetet e njëjtë”.
Shërbimi juaj, shtoi Papa Françesku, është dëshmi e vërtetë e përkushtimit për ta kryer sa më mirë një detyrë sa të rëndësishme, aq edhe impenjative, në një kohë e një hapësirë krejt të veçantë e në një qytet muze, siç është Roma, udhëkryq turistësh e shtegtarësh nga mbarë bota, që arrijnë për arsye nga më të ndryshmet:
Në këtë gjeratore historie e historish personale, përfshihet edhe secili nga ju. Me shërbimin tuaj të kujdesshëm, ju jeni të thirrur t’u jepni një dëshmi të qetë e gazmore kristiane të gjithë atyre, që vijnë në Vatikan për të vizituar Bazilikën e Shën Pjetrit e për t’u takuar me Papën”.
Prej këndej, ftesa:
“Jetojini me fund ditët tuaja! Jini të fortë në fenë tuaj e bujarë në mirësi ndaj njerëzve që takoni!”.
Më pas Papa vërejti se uniforma e Rojeve Zvicerane, që tërheq aq shumë vëmendjen e njerëzve, në formën e sotme, pas sa e sa ndryshimesh gjatë vitesh, sivjet kremton njëqindvjetorin. Ngjyrat dhe trajtat e kësaj divize, që njihen në mbarë botën, të kujtojnë përkushtimin, seriozitetin, sigurinë. Flasin vetë për një shërbim të veçantë e një të kaluar të lavdishme:
“Veç mos harroni se jo uniforma, po ai që e mban, duhet t’i prekë të tjerët me mirësjelljen, me frymën e mikpritjes, me mirësinë ndaj të gjithëve”.
Mirësi edhe ndërmjet jush, i porositi Papa Rojet, duke i kushtuar vëmendje edhe jetës suaj në bashkësi e duke ndarë së bashku çastet e gëzueshme e edhe ato të trishtuara…
... pa e harruar atë që, ndërmjet jush, kalon çaste të vështira e ka nevojë për një buzëqeshje, një gjest inkurajimi e miqësie, duke e shmangur distancën negative, që i ndan shokët e që, në jetën e të gjithë njerëzve të botës, mund të krijojë përbuzje, përjashtim ose racizëm”.
Në përfundim, Papa i falënderoi thellësisht Rojet për shërbimin e tyre:
Të dashura Roje Zvicerane, çdo ditë mund ta provoj nga afër përkushtimin tuaj e impenjimin tuaj: për këtë, ju jam shumë mirënjohës”.









All the contents on this site are copyrighted ©.