2014-05-05 14:14:25

Papa Françesku: të krishterët të çlirohen nga kotësitë, nga etja për pushtet e para


Në Kishë ka njerëz që e ndjekin Jezusin, sepse kërkojnë kotësitë dhe kanë etje për pushtet e para. Zoti na dhëntë hirin, që ta ndjekim vetëm për dashuri: kjo është lutja që bëri Papa gjatë meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës.RealAudioMP3

Duke u nisur nga ungjilli i liturgjisë së sotme, në të cilin Jezusi i qorton ata që e kërkojnë vetëm sepse ishin nginjur, pas shumimit të bukëve dhe të peshqve, Papa bëri thirrje ta pyesim veten a e ndjekim Zotin për dashuri apo për ndonjë përfitim. “Sepse të gjithë jemi mëkatarë – vërejti Ati i Shenjtë – dhe kemi gjithmonë ndonjë interes, që duhet pastruar, kur ndjekim Jezusin, prandaj duhet të punojmë me veten, për ta ndjekur vetëm për hir të tij, për dashuri”. Jezusi – pohon Papa Françesku – përmend tri sjellje, që nuk janë të mira, kur shkojmë pas Jezusit, ose kur kërkojmë Hyjin. E para është kotësia”. Papa Françesku e ka fjalën për “drejtuesit”, që japin lëmoshë ose agjërojnë për të rënë në sy:

“Ata drejtues donin të binin në sy, u pëlqente – për të përdorur fjalën e përshtatshme – u pëlqente të fryheshin e silleshin si pallonj të vërtetë. Të tillë ishin. E Jezusi thotë: ‘Jo, jo: kështu nuk shkon. Kotësia nuk është gjë e mirë’. E disa herë i bëjmë gjërat duke u përpjekur për të rënë në sy sadopak, duke kërkuar kotësinë. Është e rrezikshme kotësia, sepse na bën të rrëshqasim menjëherë në krenari, në mendjemadhësi, e pastaj gjithçka përfundon aty. Dhe e pyes veten: unë, si e ndjek Jezusin? Gjërat e mira që bëj, a i bëj fshehurazi, apo më pëlqen të bie në sy?”.

“Mendoj edhe për ne, ne barinjtë” – tha Papa – sepse “një bari i dhënë pas kotësive nuk i bën mirë popullit të Hyjit”: mund të jetë meshtar ose ipeshkëv, por “nuk ndjek Jezusin” nëse “i pëlqen kotësia”. Gjëja tjetër, për të cilën Jezusi i qorton ata që e ndjekin – pohoi Ati i Shenjtë – është pushteti”:

“Disa e ndjekin Jezusin, por paksa të pavetëdijshëm, paksa të pandërgjegjshëm. Kërkojnë pushtetin, apo jo? Rasti më i qartë është ai i Gjonit dhe Jakobit, bijtë e Zebedeut, të cilët i kërkonin Jezusit hirin, që të bëheshin kryeminister e zëvëndëskryeministër, kur të vinte Mbretëria. E në Kishën ka kacavjerrës. Ka shumë vetë, që trokasin në Kishë për... Por, nëse të pëlqen, shko në Veri e merru me alpinizëm: është më e shëndetshme! Mos eja në Kishë për tu kacavjerrë! Dhe Jezusi i qorton këta kacavjerrës, që kërkojnë pushtet”.

Vetëm kur vjen Shpirti i Shenjtë – vërejti Papa – nxënësit ndryshojnë. Por mëkati i jetës sonë të krishterë mbetet dhe do të na bëjë mirë ta pyesim veten: unë, si e ndjek Jezusin? Vetëm për hir të tij, edhe deri në kryq, apo kërkoj pushtet dhe e përdor pakëz Kishën, bashkësinë e krishterë, famullinë, dioqezën për pak pushtet?”. Gjëja e tretë, që na largon nga qëllimet e drejta – nënvizoi Papa – janë paratë”:

“Ata që e ndjekin Jezusin për para, duke u përpjekur për të përfituar ekonomikisht nga famullia, nga dioqezat, nga bashkësia e krishterë, nga spitali, nga kolegji... Të sjellim ndërmend bashkësinë e parë të krishterë, e cila u përball me këtë tundim: Simoni, Anania e Safira... Ky tundim ka ekzistuar që në fillim, dhe kemi njohur shumë katolikë të mirë, miq, bamirës të Kishës, që kanë marrë edhe nderime të ndryshme... janë të shumtë! E pastaj është zbuluar se kanë bërë tregti disi të errëta: ishin pazarxhinj të aftë, që kanë bërë shumë para! Paraqiteshin si bamirës të Kishës, por fitonin shumë para e jo gjithmonë para të pastra”.

“T’ia kërkojmë Zotit hirin – përfundoi Papa – që të na japë Shpirtin e Shenjtë, për të shkuar pas tij me qëllimin e drejtë: vetëm për hir të tij. Pa kotësi, pa dëshirën për pushtet dhe pa dëshirën për para”.








All the contents on this site are copyrighted ©.