2014-05-05 18:12:51

Lutje e veçantë për shtegtimin e Papës në Tokën e Shenjtë


“Atë qiellor, ti do dhe përdëllen pa u lodhur. Pasardhësi i Pjetrit do të vizitojë Tokën e shenjtëruar nga lindja, pagëzimi, mësimi, vdekja dhe ringjallja e Birit tënd. Rri me ne, shenjtëroje dhe bekoje. Shrije mantelin e butësisë sate në çdo hap të shtegtimit të tij mes nesh, që secili të mund të shohë tek ai një shtegtar të hovshëm, një mësues të urtë dhe një udhëheqës të përvuajtur”.
Kështu fillon lutja e veçantë, që katolikët e Tokës së Shenjtë do të mund të thonë gjatë tri javëve që i paraprijnë vizitës së Papës Françesku në Jordani, Palestinë dhe Izrael (24-26 maj), si vepër devocioni personal dhe të përbashkët, – thotë agjencia Fides – për t’i kërkuar Zotit që shtegtimi i ipeshkvit të Romës të japë fryte për të krishterët e mbarë botës dhe për bashkëjetesën në të gjithë Lindjen e Mesme. “Gjatë këtij muaji të majit, që Kisha i kushton tradicionalisht Virgjërës Mari”, shpjegon për agjencinë Fides Rifat Bader, drejtor i Qendrës Katolike për Studimin dhe Mediat dhe i ngarkuar për informimin në lidhje me vizitën papnore në Jordani, “me bekimin e kryeipeshkvit Marun Lahham, kemi sugjeruar të përsëritet çdo ditë, në çdo Kishë, kjo lutje, në çdo takim kishtar dhe pas lutjes së përditshme të rruzares. Do të jetë një mënyrë e thjeshtë dhe frytdhënëse, për t’u përgatitur shpirtërisht për shtegtimin e Papës Françesku, si në Jordani, ashtu edhe në famullitë e tjera të Tokës së Shenjtë”.
Në lutje kujtohet edhe natyra ekumenike e shtegtimit të Papës Françesku. Shtegtimin e përbashkët në Jeruzalem ia ka parashtruar Papës i pari Patriarku ekumenik i Kostandinopojës Bartolomeu I, me rastin e pesëdhjetëvjetorit të takimit historik të Papës Pali VI me Patriarkun ekumenik Atenagora në Qytetin e Shenjtë: “O Zot Jezu Krisht, që je lutur për bashkimin e Kishës sate, duke kërkuar që besimtarët ‘të jenë një gjë e vetme’ – vijon lutja – bëj që takimi i Atit të Shenjtë me Patriarkun ekumenik ta ndihmojë zhvillimin e angazhimit tonë për bashkimin e bijve të tu”.
Në lutje kërkohet edhe që takimet e Papës me autoritetet politike të japin fryte për drejtësinë dhe paqen dhe që takimi me pasardhësin e Pjetrit t’i përforcojë në fe bijtë e Kishës: “Bari i mirë, i gdhendur edhe në kryqin parzmor të Papës Françesku – lexohet në uratë – gjallëro ne ne, që ecim në shpirtin e përvujtërisë, të cilin ia ke dhënë Papës, vetëdijen për identitetin tonë të krishterë, kështuqë, si nxënës të vërtetë, të mund ta dëshmojmë Lajmin tënd të Mirë dhe ringjalljen tënde në kishat tona, në shoqërinë tonë dhe në mbarë botën, veçanërisht duke u shërbyer të dobtëve, të varfërve dhe refugjatëve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.