2014-05-04 13:45:21

Trashëgimia e shën Gjon Palit II


Në këtë emision të fundit, kushtuar shën Gjonit XXIII dhe shën Gjon Palit II, po ndalemi në trashëgiminë e këtij të fundit, gjithnjë sipas librit “Kam jetuar me një shenjt” të kardinalit Stanislau Xhivish.
“Mendoj – nënvizon kardinali – se krejt jeta e tij ka qenë dëshmi e të vërtetave, në të cilat besonte. Na mësoi se nuk mjafton ta mbushim gojën me emrin e Zotit, nuk mjafton të flasim për Të; duhet ta takojmë, të jetojmë një përvojë të thellë, gjallëruese në këtë takim. E në qendër të kësaj udhe shenjtërimi personal është gjithnjë lutja, natyrisht. Një fe e jetuar, koherente, e guximshme, kurrë e mbyllur në vetvete, prandaj, e aftë të krijojë vazhdimisht shpresë, shpresë të re.
Mund të themi se Karol Vojtila, duke na shtyrë drejt një përvoje të re të Zotit, të një Zoti jo më larg njeriut e historisë njerëzore, ka qenë Papa i Mishërimit. Sepse është e vërtetë që të gjithë papët, për shkak të misionit të tyre, janë kryesisht interpretues e mjete të atësisë hyjnore. Por, për mënyrën si arriti, në magjisterin e tij, të kapërcejë kundërvënien ndërmjet Zotit e njeriut, e sidomos për mënyrën si e shpalli, me misionin e tij, centralitetin e njeriut në kontekstin e planit hyjnor të shëlbimit, Gjon Pali II diti të na e tregojë fytyrën e Zotit, fytyrën njerëzore të Hyjit. E, në veçanti, diti t’ua tregojë brezave të tërë të rinjsh, disa prej të cilëve ishin rritur pa ditur asgjë për përmasën fetare të jetës, pa pasur asnjë kontakt me realitetin kishtar.
E kështu, do të guxoja të thosha, papa Vojtila hodhi bazat për një përshpirtëri të re. Një përshpirtëri, jo më e huazuar kryesisht nga ajo klerikale, nga ajo fetare, por e tillë që mund të shprehë më mirë pasurinë e brendshme të laikut të krishterë e, njëkohësisht, ta ndihmojë atë ta zhvendosë këtë pasuri në sferën e kohës, në impenjimin e tij shoqëror. Pa frikë. Pa komplekse inferioriteti. Madje, duke u bërë bartës i një stili jetese të ndryshëm nga ai i imponuar prej modave kulturore të së ashtuquajturës ‘shumicë’”.
Me siguri, vazhdon kardinali Xhivish, Gjon Pali II mund të shihet si njeri i drejtë, në kuptimin që i jep kësaj fjale Ungjilli. “Si shenjë dalluese të Vojtilës-njeri i drejtë – shkruan ish-sekretari i tij personal – unë do të zgjidhja sigurisht atë të butësisë, që në traditën biblike do të thotë diçka krejt tjetër nga mungesa e guximit. Vërtet, Karol Vojtila ishte i butë në kuptimin e plotë ungjillor. Ishte i butë…sepse e gjente forcën në të vërtetat që besonte, në fenë e tij të thellë. Sepse ishte paqësor, por jo pacifist dhe, kundërshtonte me vendosmëri dhunën, abuzimin, fyerjen e dinjitetit njerëzor…
…Karol Vojtila arriti ta merrte për dore njeriun modern, duke e ndihmuar të gjejë gjurmët e Zotit në historinë e vet e, kështu, të rizbulojë ç’kuptim ka humaniteti i vet, në një botë që prirej të nivelonte çdo gjë, si personat, ashtu edhe vlerat e ndjenjat… në çdo njeri, Karol Vojtila pa imazhin e Zotit Krijues”.








All the contents on this site are copyrighted ©.